100% shtet

Qeveria e Kosovës të mërkurën i shpalli “luftë” të hapur ekonomike Serbisë, duke marrë vendim që tash e tutje të aplikohet taksë prej 100% për produktet serbe që hyjnë në vendin tonë. Një vendim i tillë u mirëprit me entuziazëm nga prodhuesit vendorë, ndërsa gjeti kundërshtimin e ashpër nga pala serbe.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës miratoi propozimin e ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë (MTI) Endrit Shalës, që të rrisë taksën doganore ndaj produkteve serbe nga 10 për qind në 100 për qind.

Vendimi i ka gëzuar prodhuesit vendorë, të cilët tregojnë barrierat që i kanë hasur deri më tani për eksportimin e produkteve të tyre për në shtetin serb. Ministri Endrit Shala, që drejton dikasterin e Tregtisë dhe të Industrisë, kërkoi publikisht nga prodhuesit dhe nga tregtarët që të fokusohen në cilësinë e produkteve dhe të arrijnë standardin më të lartë që të mos ketë mëdyshje për konsum ditor.

Ai në mes tjerash obligoi menjëherë Doganën e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë që të fillojnë me zbatimin e vendimit. “Qytetarë, prodhues, importues e tregtarë ju ftoj të gjithëve t’i bashkohemi kauzës për zhvillim të vendit e mirëqenie të popullit. Kërkoj nga prodhuesit të fokusohen më shumë në cilësi.Të arrini standardin dhe cilësinë më të lartë në mënyrë që qytetari i Kosovës të mos ketë mëdyshje për konsum ditor e të konsumojë prodhime vendore. Të bashkohemi të gjithë e të gjejmë zgjidhje kreative. Nuk është vetëm Serbia e Bosnja në këtë rajon”, u shpreh ministri në një konferencë për medie.

Por nuk dha një deklaratë të prerë se sa do të jetë jetëgjatësia e këtij vendimi, duke pasur parasysh presionet e ndërkombëtarëve. Ministri u përgjigj duke thënë se ka kryer detyrën që i takon, shkruan Zeri.

“Unë e kam kryer detyrën time me këtë rast. Po i kryej detyrat e mia si ministër. Në kompetenca të mia si ministër dhe pas analizave të departamenteve përkatëse kemi propozuar këtë masë dhe kjo masë u mor në mbrojtje të ekonomisë së vendit e mbi të gjitha në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të vendit tonë”, ka sqaruar në mes tjerash. Ministri ka ftuar Doganën dhe institucionet tjera që të zbatojnë menjëherë vendimin duke ndaluar importin e produkteve serbe që si distributor e kanë mbishkrimin “Kosova i Metohija”.