Gazeta Sinjali ka siguruar detaje nga një operacion i zhvilluar më 16 korrik 2025 nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që çoi në ndalimin e pesë zyrtarëve shtetërorë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe manipulim me prona shtetërore.
Të dyshuarit janë: Bashkim Shaqiri, rreth 44-vjeçar, Mejreme Bajraktari, reth 54-vjeçar, Zelije Shala, rreth 55-vjeçar, Mehdi Bahtiri, rreth 57-vjeçar, dhe Veton Bytyqi, rreth 48-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, hetimet kanë zbuluar se këta zyrtarë, duke shfrytëzuar funksionet zyrtare në agjencitë shtetërore dhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, kanë ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në bartjen e një prone shtetërore – nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) – në emër të një pale private (S.M.), duke anashkaluar vërejtjet e Kadastrit Komunal të Prishtinës.
Sekuestrohen prova kyçe
Gjatë ekzekutimit të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë bastisur zyrat e agjencive shtetërore dhe banesat e të dyshuarve. Si rezultat, janë sekuestruar si prova materiale: 2 kompjuterë personalë, 5 telefona mobilë, 1 USB, një sërë dokumentesh zyrtare që ndërlidhen me rastin, dosje fizike të pronave, vendime dhe komunikime ndër-institucionale, dhe fletëregjistrime kadastrale dhe shkresa zyrtare të AKP-së.
Të gjitha këto materiale janë marrë për analizë forenzike, pasi dyshohet se përmbajnë dëshmi për ndërhyrje dhe manipulim në procesin e regjistrimit të pronësisë.
Me aktvendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprën: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.