700 minatorë futen në grevë, shkak vonesa e pagave

Minatorët e Stan Tërgut dhe ata të Artanës, kanë hyrë sërish në grevë. Bëhet fjalë për rreth 700 punëtorë, të cilët megjithëqë që kanë punuar ende nuk kanë marrë pagat e janarit e po ashtu janë në pritje të pagës së shkurtit.

Lajmin për IndeksOnlinen e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Gani Osmani.

Ai tha se ndërrimi i parë nuk ka filluar punën dhe se minatorët e Stan Tërgut janë përkrahur edhe nga ata të Artanës.

“Po kemi hyrë në grevë. Minatorët kanë punuar, por që nuk i kanë marrë pagat e tyre të janarit. Vetëm gjysma e punëtorëve, kanë marrë 70 për qind të pagës, ndërsa pjesa tjetër ende asgjë”, tha Osmani për IndeksOnlinen.

Ai ka treguar më tej se kanë biseduar me menaxhmentit, por që ende nuk kanë marrë një përgjigje se çfarë do të ndodhë me këto pagesa.

Ndryshe tash e disa kohë minatorët kosovarët ballafaqohen me telashe të tilla, ku nuk kryhen pagesat dhe zvarritjet në realizimin e tyre janë të vazhdueshme.