A do të dalin pagat e sektorit publik sot? Përgjigjet ministria e financave

Pagat e sektorit publik do të dalin sot për shkak se nga nesër nuk mund të bëhet asnjë shpenzim, pa u votuar buxheti i vitit 2019.

Kuvendi i Kosovës akoma nuk e ka votuar projektligjin e ndarjeve buxhetore për vitin 2019. Seanca kur pritet miratimi i buxhetit për këtë vit, është caktuar për të shtunën, më 2 shkurt.

Ndërsa prej 1 shkurtit, zyrtarisht shteti është në bllokadë financiare dhe nuk mund të bëjë asnjë pagesë, përveç të borxhit publik.

Zëdhënësi i ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka konfirmuar për Gazetën Express se pagat e sektorit publik, që parashihen të dalin me 1 shkurt, do të dalin sot.

Pagat do të dalin një ditë më herët, pasi nesër zyrtarisht bllokohet çdo pagesë e mundshme, deri në votimin e buxhetit.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive parasheh që vendi mund të shpenzojë vetëm një muaj të vitit fiskal, pa buxhet të miratuar.

Ndërkaq, dje në seancën e parë të sesionit pranveror nuk u arrit të votohet mocioni procedural i kërkuar nga Komisioni për Buxhet, me të cilin është kërkuar zgjatja e afatit të shpenzimit të buxhetit derisa të miratohet projektligji i buxhetit për 2019. /Express/