A ka dallim në mes të mëdhenjve – në bazë të asaj që thanë Merkel e Macron ka pak

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, janë prezantuar para mediave si dy partnerë të mirë për të folur për Kosovën dhe Serbinë. Ka tashmë disa javë që flitet se Samiti i Berlinit do të varrosë idenë e korrigjimit të kufijve, por dy vendet liderë të BE’së kanë një dallim në nuanca. Por, cilat janë këto nuanca.

Kancelarja gjermane Angela Merkel porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Ajo kur doli në konferencë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, si bashkënikoqirë të Samitit të Berlinit, tha se në kuadër të këtij samiti do të diskutohet hapur për të gjitha sfidat.

E Macron gjithashtu porositi që në kuadër të samitit të diskutohet hapur për të gjitha opsionet që janë në tryezë sa i përket Serbisë dhe Kosovës. Këtu mund të jetë edhe dallimi pasi Merkel nuk i konsideron të gjitha opsionet. Ajo është fuqishëm kundër korrigjimit. Kështu së paku qëndrojnë gjërat para përfundimit të samiti i cili pritet ta prodhojë një dokument ku do të trajtohet edhe çështja e korrigjimit të kufijve ndoshta në mënyrë pak më të tërthortë.

“Nuk e kemi për qëllim të imponojmë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, tha Macron.

Hashim Thaci besnik i linjës së ndryshimit të kufijve – i gatshëm për zënka me Merkel e Macronin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka shkuar plotë disponim për t’i gjuajtur me fjalë Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel dhe Presidentin e Francës Emanue Macron duke e thënë edhe në media të fuqishme botërore se nga samiti s’ka asgjë, se SHBA’të janë adresa kryesore për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi.

Madje Thaci i ka sfiduar hapur Merkelin e Macronin duke thënë “bindeni Vuçiqin ta njohë Kosovën.

Nëse kjo nuk arrihet sipas tij takimi në Berlin nuk do të jetë i dobishë,

“Shtetet e Bashkuara janë kyçe për zgjidhjen e konfliktit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” ka thënë Thaci. Sipas Reuters kjo është një mënyrë për ta poentuar se shtetet e mëdha europiane janë të paafta për ta unifikuar një qëndrim për këtë cështje.

Ai madje nuk ka hezituar të thotë se nga ky samit në Berlin ku janë mbledhur dy vendet më të forta të BE’së nuk ka asgjë.

Ndryshe, Thaci është parë i disponuar në takimin me Mogherinin e cila i ka pritur liderët ballkanas në Berlin në Zyrën e Komisionit Europian. Aty nuk ka shkuar Kryeministri Haradinaj për shkak të raporteve të këqija me kryediplomaten europiane e cila ka lejuar që Thaci e Vuçiq të flasin edhe për ndryshime me kufijtë.

Ramush Haradinaj: A do të mbajë qëndrimin e fortë për taksën?

Ramush Haradinaj ka arritur të faktorizohet mjaftueshëm që të marrë ftesë për një takim të nivelit të lartë si ky në Berlin.

Ai e coi deri në fund inatin me Mogherinin duke mos i shkuar në takim. Po ashtu të hënën në Berlin edhe Presidenti Hashim Thaci ishte në krah të tij duke thënë se Kosova nuk do ta heq taksën nëse Serbia nuk i ndalë provokimet madje do t’i shtojë ato. Haradinaj qëndrimin e tij ia bëri me dije edhe Ambasadorit të SHBA’së në Gjermani me të cilën liderët kosovarë u takuan para samitit.

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin” ka shkruar Haradinaj.

Asgjë e re nga Aleksandar Vuçiq mesazhe i dërgoi me takimet e tij me Presidentin e Rusisë dhe Kinës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po ashtu nuk ka pasur cfarë të thotë në këtë samit. Porositë ai i ka dërguar para se të shkojë atje duke takuar Presidentin e Rusisë dhe Kinës duke i dërguar porosi europianëve se Serbia ka edhe alternativa tjera.

Sido që të jetë Vuçiq ka thënë se ai të gjitha do t’i thotë në Samit ndërkohë që gjatë takimit me Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini ka thënë se dialogu Kosovë Serbi do të vazhdonte nesër nëse hiqet taksa.

Federica Mogherini pa peshë në Berlin tenton ta ruaj pozicionin

Përfaqësuesja e Lartë e cila në bazë të reagimeve në Gjermani ka marrë kritikta të ashpëra rreth cështjes së kufijve për faktin që i ka lejuar dy palët të flasin për këtë temë.

Mogherini megjithatë ka organizuar një takim me të gjithë liderët e Ballkanit, por aty nuk ka shkuar vetëm Ramush Haradinaj.

Politikania italiane nuk ka thënë diçka për këto takime, por duket se gjërat po shkojnë në drejtim të tillë që ajo nuk do ta gëzojë priviligjenin që të jetë kumbara i marrëveshjes Kosovë –Serbi edhe për faktin që e ka humbur kredibilietin si ndërmjetëse edhe për faktin që pas disa muajsh i përfundon mandati.

Cfarë sjell Samiti?

Nuk dihet cilat do të jenë konkluzionet në dokumentin që do të miratohet nga nikoqirët. Mbetet të shihet se a do të arrijnë Merkel e Macronin ta bindin Haradinajn ta heq taksën për ta filluar dialogun Kosovë –Serbi, që është edhe kusht i Vuçiqit.

Po ashtu mbtetet të shihet nëse Franca dhe Gjermania do të mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave. Por, një gjë e tillë vështirë se do të jetë në dokumentin final për faktin që në BE shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian. Një përkrahje e hapur do të mund vlerësohet se u ndihmon partive ekstremiste në këto zgjedhje. /Express/