A mund ta rrëzojnë qeverinë Hoti aktakuzat kundër Thaçit e Veselit?

Një propozim për aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli nga Zyra e prokurorit të Specializuar mund të jetë shkas për një krizë të re në politikën kosovare.

Njohës të zhvillimeve në vend, paralajmërojnë edhe rrëzimin e qeverisë, derisa Gazeta inFokus merr vesh se në planet e udhëheqësve të vendit tashmë është futur edhe shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

Krejt kjo pritet të qartësohet me deklarimin e Presidentit, Hashim Thaçi në Kosovë pas aktakuzës së publikuar.

“Kosova është para një situate të rëndë”, thotë analisti Valon Syla, duke rikujtuar se aktakuza e ndaj Thaçit dhe Veselit i minoi bisedimet e paralajmëruara në Washington për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“…Washingtoni si aleat i madh thërret për një marrëveshje dhe Franca e Gjermania në anë e BE’së së mbetur thërret për marrëveshje në Paris gjithashtu. Mendoj se këtu nevojitet një sqarim i dy palëve për garancat”, është shprehur Syla.

Sipas tij, tash ka rënë besimi te Evropa e cila Syla thotë se duket shumë më larg amerikanëve se ndonjëherë në histori të diplomacisë.

Për këtë ai vlerëson se Qeveri e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti duhet ti pres reagimet e Washingtonit dhe të analizoj pozicionin e saj negociues, fuqinë nga brenda dhe të gjejë konsensus për të ardhmen.

“Në një kohë të marrjes së pengjeve si Veselin e Thaçin, pa verifikime dhe procedura, dikush duhet të sqarohet. Edhe BE duhet të sqarohet, edhe të pritet përgjigja nga Shtëpia e Bardhë”, thotë Syla.

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri nuk përjashton mundësinë e një qeverie të re.

Megjithatë kjo nuk do të ndodhë nëse nuk vërtetohen aktakuzat e publikuara ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli.

“Nëse kjo aktakuzë vërtetohet nga Gjyqtari, Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqje menjëherë. Nëse jep Dorëheqje Thaçi atëherë Kuvendi i nis procedurat nga partitë politike dihet cila parti ajo që i ka 30 deputetë me kandidu një president por vetëm nëse mblidhen 30 nënshkrime se s’mund të ketë procedurë tjetër ose duhet mu votu në Kuvend”, thotë Tahiri.

Mirëpo, sipas tij për tu votuar në Kuvend një nismë e tillë në seancë duhet të jenë 80 deputetë.

“Tash nuk ka shanca të ketë 80 deputetë se pa PDK-në dhe këto është e pamundur. Tash ekziston mundësia që seanca nuk mundet me u mbajt hiq dhe nëse seanca nuk mbahet për dy muaj dhe nëse presidenti nuk zgjidhet për dy muaj atëherë vendi shkon në zgjedhje. Kosova shkon në zgjedhje 40 ditë pasi nuk zgjedhet presidenti dhe Kuvendi shpërbëhet”.

E qeveria, sipas Tahirit mund të rrëzohet edhe në disa raste tjera, shkruan gazeta inFokus.

“Nëse jep dorëheqje Avdullah Hoti nëse thotë se mu kan kriju rrethanat e tilla qe s’mundem me vazhdu . Arsye tjetër është me rrëzu me mocion mosbesimi, tjetër është nëse del një grup parlamentar ose disa deputetët që i atakojnë por Hoti nuk është si Haradinaj por i duhet të japë dorëheqje nëse nuk e ka shumicën në Kuvend”.

Megjithatë, ende nuk ka qëndrim zyrtarë se si do të veproi qeveria pas publikimit të aktakuzës në të cilën Thaçi e Veseli bashkë edhe me të tjerë ish përfaqësues të UÇK-së dyshohen për 100 vrasje.

Kjo aktakuzë u publikua tre ditë para takimit të paralajmëruar mes palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë.

Menjëherë më pas presidenti Thaçi e anuloi pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhe, ani pse tashme ishte nisur për atje, shkruan gazeta inFokus.

Një gjë të tillë e bëri edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili vetëm një ditë më pas anuloi pjesëmarrjen në këtë takim e sipas tij kjo për shkak të situatës së krijuar i duhej të kthehej në Kosovë.

Kështu i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell pas konfirmimit për mospjesëmarrje nga Kosova njoftoi për shtyrjen e këtij takimi./Gazeta inFokus/