Agim Ademi në panik nga zgjedhjet brenda FFK’së: Mund të largohet nga posti i kryetarit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duket se ka filluar të frikësohet dhe të jetë në panik nga mbajtja e zgjedhjeve brenda FFK’së që do të jenë me 15 janar të vitit 2020.

Por, ai mundohet ta gjen një mënyrë e cila thyen statutin dhe rregullat e FFK’së, vetëm e vetëm për ta mbajtur pozitën edhe për dy vite.

Agim Ademi i cili erdhi në krye të FFK’së vetëm një muaj pas vdekjes së legjendës së futbollit dhe kryetarit të atëhershëm Fadil Vokrri, do të ketë një sfidë të re tani.

Ardhja në krye të FFK’së nga Ademi ishte kritikuar shumë nga shumë analistë dhe njerëz të skenës politike, pasi sapo kishte vdekur Vokrri, brenda FFK’së kishin filluar skenat e turpshme për nxënien e ulëses së të parit në FFK.

Zgjedhjet e fundit në FFK janë mbajtur me 15 janar të 2016, ku atë kohë ishte Fadil Vokrri që u zgjedh i pari i Federatës, pastaj vendin e tij më 2018 e zuri Ademi duke mos respektuar asnjë afat ligjor.

Por, tani ka ardhur koha që zgjedhjet brenda FFK’së të mbahen dhe të zgjidhet kryetari i ri i saj, me 15 janar të vitit që po vjen 2020, do të jetë një garë e nxehtë për të parin e FFK’së, e nga kjo garë duket se Ademi po frikësohet më së shumti.

Ademi ka filluar me premtime të mëdha, si sjelljen e VAR’it në Kosovë dhe rregullimin e stadiumeve të reja në vend, ani pse ai nuk ka përfunduar akoma 12 fushat/terene sportive që i ka filluar i ndjeri Fadil Vokrri.

Duke ditur se mandati i Kryetarit të FFK’së dhe Komitetit Ekzekutiv ka mandat vetëm katër vjeçar, Agim Ademi ka paralajmëruar një lloj anarkie brenda Federatës, ai ka paralajmëruar se Komitetit Ekzekutiv do t’i

vazhdohet mandati katër vjeçar dhe pa proces të rregullt zgjedhor, kështu duke thyer të gjitha ligjet, nenet dhe statusin që ka FFK.

Kryetari i FFK’së po duket se tani është në panik të madhe për humbjen e të parit brenda Federatës, një frikë nga delegatët e FFK’së të cilët sipas burimeve të Metros do të thërrasin me 15 janar të 2020 Kuvendin e rregullt zgjedhor, ku do të vendoset zgjedhja e kryetarit të ri dhe Komitetit Ekzekutiv.

Si qëndron puna me zgjedhjet e rregullta në FFK?

Zgjedhjet e fundit brenda FFK’së, u mbajtën me 15 janar të 2016, aty padyshim fitoi pozitën e kryetarit të FFK’së, i ndjeri Fadil Vokrri, e kur ndodh një rast i tillë, atë e përcakton apo rregullon neni 33, paragrafi 4 i statutit të FFK’së.

“Nëse zbrazet një vend në KE, Kuvendi e zgjedh zëvendësuesin, për pjesën e mbetur të mandatit”.

Me datën 06/07/2018 Komiteti Ekzekutiv ka mbajtur Kuvend të jashtëzakonshëm, e që në këtë Kuvend është zgjedhur nënkryetari i deriatëhershëm i FFK’së, Agim Ademi në pozitën e Kryetarit të FFK’së.

Kjo zgjidhje e tij në bazë të statutit të FFK’së, tregon se ai trashëgon mandatin e Vokrrit vetëm deri me 15 janar të vitit 2020, por një gjë tjetër ka ndodhur, Ademi po e paraqet vetën si kryetar të zgjedhur për

mandat katër vjeçar, madje edhe në faqen zyrtare të FFK’së është zgjedhur për një mandat deri në vitin 2022, një gjë e tillë e cila bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Statutit e FFK’së e cila konsiderohet edhe shkelje e drejtpërdrejtë e statutit.

Statuti i FFK’së ka rregulluar në mënyrë të qartë kushtet për zgjedhjen e Kryetarit e që në nenin 39 të Statutit është paraparë kjo.

“Vetëm anëtarët e FFK’së mund të propozojnë kandidatin për Kryetar të FFK’së. Propozuesi duhet të protokollojë propozimin në Sekretariatin Gjeneral të FFK’së, në formë të shkruar dhe duke i deponuar së

paku 15 nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK’së, me të dhënat e nevojshme, së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor.

Po ashtu duhet të parashtrohet programi i punës. Sekretariati i përgjithshëm duhet që t’i notifikojë kandidatët për kryetar të FFK-së, së paku një muaj para mbajtjes së Kuvendit”.

Kuvendi i jashtëzakonshëm ku është zgjedhur Agim Ademi si kryetar i FFK’së është mbajtur me datën 06/07/2018, e që protokollimi i nënshkrimeve për kandidim ka ndodhur vetëm 3 ditë para mbajtjes së Kuvendit të FFK’së, pra nuk ishte përfillur afati ligjor prej së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor për t’u bërë protokollimi i së paku 15 nënshkrimeve nga propozuesi, shkruan Gazeta Metro.

Edhe vendimi i KE të FFK’së kishte qenë për Kuvend të Jashtëzakonshëm për mandatin e mbetur të kryetarit të FFK’së e jo për zgjedhje të rregullta me mandat katër vjeçar.

Me asnjë kriter nuk është përmbushur një zgjedhje e rregullt e kryetarit të FFK’së dhe për mandat katër vjeçar ashtu siç tani është i regjistruar.

Shkeljet procedurale dhe materiale të bëra në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur me 06.07.2018, kanë bërë që KE dhe Sekretari i FFK’së të vazhdojnë edhe sot me shkelje statusore pasi që mohohen zgjedhjet e lira dhe demokratike në cikël 4 vjeçar.

Kujtojmë se të gjitha praktika e deritanishme në FIFA, UEFA dhe institucione tjera për zëvendësim të kryetarëve që kanë përfunduar mandatit para kohës së caktuar, është bërë zgjedhja e re për plotësimin e mandatit të mbetur.

Një rast i tillë ishte shënuar edhe më herët, ku rikujtojmë rastin e presidentit të UEFA’së Aleksander Ceferin, i cili ishte zgjedhur me 14.09.2016 në krye të UEFA’s vetëm për mandatin e mbetur të Michel Platinit deri në mars të vitit 2019.

Pas kësaj, më 07.02.2019, në Romë, kishte pasur zgjedhje të reja, ku nga ato zgjedhje doli si kryetar i UEFA’së përsëri Aleksander Ceferin, për një mandat katër vjeçar.

Po ashtu, Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burgi, pasi ishte shpallur si fajtor për veprat penale të ushtrimit të ndikimit dhe të detyrimit.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Agim Ademi dhe Muharrem Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12

shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kanë kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa

drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje. /gazetametro.net