Ahmeti e Limaj, sot para Mogherinit

Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë dje ka arritur në Bruksel. Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj sot do të zhvillojnë për herë të parë një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Kështu sot me fillim prej orës 10:00 në Bruksel, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pritet të takohen me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Takim ky që nga ana e palës kosovare do të kërkohet që të diskutohet për njohjen reciproke, çështjen e të pagjeturve, krimet e kryera në Kosovë nga ana e Serbisë e shumë çështje të tjera.

Kurse shefja e BE’së, Mogherini nga pala kosovare do të kërkoj sot që të largohet taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, taksë kjo që është vendosur në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Ndërkaq, ekipi negociator udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi në Kuvendin e Kosovës, me gjithë kundërshtimin e marrë nga dy partitë e opozitës, LDK dhe VV.

Kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi është momentalisht i ngrirë nga pala serbe, për shkak të taksës 100 për qind mbi mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë.