Akademia e SHBA-ve për Shkencë, Inxhinieri e Mjekësi dhe USAID përmes programit Partnerships for Enhanced Engagement in Research (PEER) mbështesin projektin hulumtues të UP-së

Projekti “Phytochemical, biological and toxicological evaluation of hop (Humulus lupulus L.) from populations growing wild in Kosovo” është njëri ndër 26 projektet e përzgjedhur për financim në mesin e 474 aplikimeve nga e gjithë bota, nga programi “Partnerships for Enhanced Engagement in Research (PEER)” i Akademisë Kombëtare për Shkencë, Inxhinieri dhe Mjekësi në SHBA dhe USAID.

Ky projekt koordinohet nga prof. dr. asoc. Avni Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës, si dhe do të implementohet në Laboratorin e Ekologjisë së Bimëve dhe Laboratorin e Gjenetikës në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore. “Projekti në fjalë ka për qëllim vlerësimin e variabilitetit gjenetik, përbërjes kimike dhe të aktivitetit biologjik të popullatave të egra të llojit bimor Humulus lupulus L, (Sumbullarit) në Kosovë”, ka bërë të ditur profesori Hajdari.

Por përveç hulumtimit, Hajdari për Gazetën Online Veriu.info, ka bërë të ditur se përmes këtij projekti do të pajisjet Laboratori i Ekologjisë së bimëve me mjete laboratorike, do të themelohen metodologji të reja për analizimin e përbërjes kimike, vlerësimit të diversitetit gjenetik dhe veprimit toksikologjik të Sumbullarit, si dhe do të bëhet trajnimi i stafit akademik dhe studentëve për përdorimin e këtyre mjeteve dhe aplikimin e metodologjive të reja hulumtuese.

Rezultatet fito-kimike, molekulare dhe toksikologjike të këtij hulumtimi do të kenë ndikim si në aspektin shkencor (ekologjik, përkatësisht në biologjinë e konservimit), gjithashtu edhe në aspektin e zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës, pasi që bima në fjalë ka rëndësi ekonomike dhe përdorim të gjerë.

Për këtë sukses, profesor Hajdari është përgëzuar nga Ambasada e SHBA-ve dhe Zyra e USAID-it në Kosovë.

Profesor Hajdari ka implementuar disa projekte shkencore në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyre të UP-së, nga rezultatet e të cilëve ka publikuar mbi 40 publikime shkencore.
Për këtë projekt të UP-së, rektori, prof. dr. Naser Sahiti ka ofruar mbështetjen e menaxhmentit në zbatimin e këtij projekti dhe në përkrahjen e iniciativave tjera në të mirë të UP-së./Veriu.info/