Amerikanët ishin vizitorët më të shpeshtë të Ambasadës kosovare, aty shkoi edhe Albright

Ambasada e Kosovës në Pragë vitin e kaluar ka pritur disa prej figurave më të rëndësishme të diplomacisë amerikane. Aty, madje ka shkuar edhe ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker.

Në një postim në Fb, Ambasadori Arbër Vllahiu ka njoftuar edhe për takimet tjera me udhëheqësit e shtetit çek.

“Një vit i vështirë por i rëndësishëm tashmë ka zënë vend në histori, për të hapur rrugën për një Vit të Ri dhe me më shumë shpresë. Megjithatë, vitin 2019 do ta mbajmë në mend për përkrahjen e madhe të miqve amerikanë.

Ambasadën e Kosovës në Pragë e kanë vizituar ndihmës sekretari i shtetit i SHBA-së, z. Philip Reeker, ish-sekretarja amerikane e shtetit, znj. Madeleine Albright, miku dhe kolegu, Ambasadori i SHBA-së në Pragë, z. Stephen B. King, me porosi të qarta për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, ka shkruar Vllahiu.

Veç kësaj, aty përmenden takimet me udhëheqjen më të lartë të Çekisë duke filluar nga Kryeministri Andrej Babis e deri te Kryetari i Pragës.

“Gjithsesi viti 2019 ishte vit i përafrimit me Republikën e Çekisë. Me kryeministrin çek, z. Andrej Babiš, kryetarin e Parlamentit, z. Radek Vondráček, kryetarin e Senatit, z. Jaroslav Kubera, ministrin e jashtëm, z. Tomáš Petříček, ministrin e

shëndetësisë. z. Adam Vojtěch, zëvendësministren e arsimit, znj. Dana Prudíková, kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit, z. Pavel Fischer, nënkryetarin e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme,z. Ivo Lipavsky, që ka vizituar Ambasadën e Kosovës, kemi fuqizuar bashkëpunimin në kërkim të partneritetit gjithëpërfshirës”, ka shtuar ai.

Ky partneritet shtrihet edhe në nivel komunal, me kryetarin e Pragës, z. Zdeněk Hřib dhe me kryetaren e Bërnos, znj. Markéta Vaňková.

Një numër vizitash nga Kosova në Çeki, të bartësve të institucioneve dhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet ministrit të jashtëm të Kosovës dhe ministrit të Industrisë e Tregtisë së Çekisë shënon pikën kulmore të bashkëpunimit ndërshtetëror në 2019.

Republika e Çekisë organizoi edhe Samitin e Kryeministrave të V4 dhe WB6, në mbështetje të perspektivës evropiane për gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

“Një vit i vështirë i ka hapur rrugën Vitit 2020, një viti të ri që sjell synime të qarta dhe angazhime të reja”, shkruan më tej Ambasadori në Pragë.