Antikorrupsioni e detyron drejtorin e Klinikës Abdominale të heqë dorë nga ordinanca private

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës Rifat Bajrami për vite me radhë kishte qenë pronar i Ordinancës “Medicion”, gjë që ka shkaktuar dyshime se pozita e punës që ai mbante krijonte konflikt interesi, shkruan Gaeta Express.

Rifat Bajrami, drejtor në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK është detyruar që të zgjedhë në mes të biznesit së tij privat dhe pozitës së drejtorit të spitalit publik në fjalë.

Agjencia Kundër Korrupsionit i ka kërkuar atij që të gjejë zgjidhje, ta mbajë pozitën e drejtorit në QKUK apo pozitën e shefit në ordinancën e tij private. Dhe, siç duket, Bajrami e ka zgjedhur punën e shtetit  krahas asaj private.

Kështu mësohet nga njoftimi i AKK-së për vendimin e saj lidhur me këtë çështje, të bërë publik sot. AKK ka njoftuar se Rifat  Bajrami ka hequr dorë nga pozita e menaxherit të ordinancës “Medicion”, duke evituar kështu konfliktin e interesit, shkruan Express.

“Rasti i hapur nën dyshimin e bazuar për Konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik me Nr.AKK-030202448/17, për Zyrtarin e lartë, Z. Rifat Bajrami-Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe njëkohësisht person i autorizuar në biznes privat, është trajtuar sipas procedurave të Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin që Antikorrupsioni e ka bërë të ditur sot lidhur me konfliktin e interesit për drejtorin Bajrami.

Agjencia njofton edhe se lidhur me këtë çështje i ka bërë shkresa njoftuese drejtorit Bajrami, si dhe e kanë ftuar në takim për ta njoftuar për situatën në të cilën ndodhej. Sipas AKK’së drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK Rifat Bajrami ka deklaruar për ndryshimet që i ka bërë në biznesin Ordinanca “Medicon”, duke deklaruar se ka hequr dorë nga funksioni menaxhues, por edhe nga pronësia e biznesit.

Agjencia Kundër Korrupsionit njofton se rasti është mbyllur, porse bën me dije se i njëjti mund të rihapet në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.