Arban Abrashi konfirmon pozitën e re në LDK

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, sot është emëruar në pozitën e Sekretarit Organizativ të LDK-së.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, ai e ka konfirmuar këtë përmes llogarisë së tij në Facebook, duke thënë se në këtë post është zgjedhur me propozimin e kreut të partisë.

“Me propozimin e kryetarit Mustafa, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së dje më dha besimin e anëtarit të Kryesisë, ndërsa sot jam zgjedhur Sekretar Organizativ i LDK-së”, ka shkruar Abrashi.

Tutje ai ka shtuar se përmes kësaj detyre, do të punojë për fuqizimin e LDK-së.

“Detyrën e dhënë nga strukturat e partisë, do ta përkthej në angazhim maksimal për fuqizimin e LDK-së dhe jetësimin e programit të saj për shtetin dhe qytetarët”, është shprehur ai.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së është diskutuar edhe për çështjen e mandatarit për kryeministër.

Ndërkohë që Lufti Haziri dhe Agim Veliu nuk kanë marrë pjesë në këtë mbledhje, pasi që dyshohet se nuk pajtohen që Vjosa Osmani të caktohet si kandidate e LDK-së për kryeministre./Front Online/