Arrestohet pronari i Universitetit KRISTAL, studenti i dyshimtë kosovar vazhdon punën i patrazuar në Bordin e ARH-së

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë arrestuar të martën pronarin e universitetit “Kristal”, i mbyllur katër vjet më parë, Ahmet Muçaj, i dyshuar për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat.

Ai është kapur në flagrancë duke ia dorëzuar një shtetaseje një diplomë të nivelit bachelor, Dega drejtësi, kundrejt marrjes së një vlere monetare.

Rudina F., 30 vjeçe nga Laçi, kishte dëgjuar se në Tiranë shiteshin diploma. Përmes një të njohuri që është shpallur në kërkim si ndërmjetësues, vajza kishte parapaguar 1 mijë euro.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Të hënën, në një lokal në Tiranë, vajza nga Laçi pagoi edhe shumën tjetër prej 1500 eurosh, si kusht për të marrë diplomën që e njeh atë si juriste. Sipas Prokurorisë, shuma i është dorëzuar pronarit të universitetit “Kristal”.

Ahmet Muçaj është arrestuar menjëherë sapo ka shkëmbyer diplomën me shumën e parave.

Nuk janë të paktë edhe studentë nga Kosova që kanë studiuar në këtë universitet të Tiranës. Insajderi ka raportuar në fund të vitit që shkoi për njërin prej tyre.

Arsim Berisha, kryesuesi i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, është një prej shumë njerëzve që posedon një diplomë të dyshimtë të universitetit “Kristal” në Shqipëri.

Para disa viteve ky universitet është mbyllur për shkak të shitblerjes së titujve akademik. Shumë të diplomuar aty kanë probleme për t’u punësuar në pozita të larta publike.

Por, imazhi negativ i “Kristal”-it nuk ka ndikuar për keq në karrierën e Berishës. I ka ndodhur e kundërta. Është avancuar.

Më 28 tetor të vitit 2016, Berisha ka marrë përkrahjen e shumicës parlamentare që ishte udhëhequr nga koalicioni PDK-LDK. Insajderi ka zbuluar se qeveria dhe parlamentarët në tetor të vitit 2016 ishin në dijeni se diploma e Berishës e marrë në “Kristal” ishte e pavlefshme. Ishin në dijeni që nuk ishte e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit në Kosovë.

Përkundër diplomës së dyshimtë, Qeveria e udhëhequr atëherë nga Isa Mustafa dhe Kuvendi i udhëhequr nga Kadri Veseli kishin përzgjedhur që të procedonin me emërimin e Berishës në krye të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Deri në kohën e emërimit në këtë post të lartë, Berisha ishte një zyrtar i degës së LDK-së në Klinë. Universiteti “Kristal”, në Shqipëri është mbyllur në gusht të vitit 2014. Është bërë i famshëm për skandalin e shitblerjes së diplomave.

Të bëmat e “Kristal”-it kishin bërë çuditur edhe mediat në Itali. Renzi Bossi, djali i një ish-kryetari partie në Itali, kishte diplomuar në “Kristal”. Nuk e kishte ditur asnjë fjalë shqip dhe nuk kishte shkelur asnjëherë në territorin e Shqipërisë.

Ndryshe Arsim Berisha vazhdon i patrazuar punën e tij si kryesues i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave./Insajderi/