Arsyeja e vërtetë prapa publikimit të listës nga ministri Murati, sipas zëdhënësit të VV-së

Publikimi nga qeveria i listës prej 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike, është bërë për “hesape politike” të së kaluarës, ka nënkuptuar një deklarim i zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Një deklarim i Manxhukës në rrjetin social Facebook, ka hedhur poshtë konstatimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se publikimin e listës e ka bërë në frymën e transparencës në qeverisje.

Sipas Manxhukës, publikimi i listës me 50 përfituesit më të mëdhenj nga fondi i qeverisë për rimëkëmbje, ka të bëjë me kundërshtimin që Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike vitin e kaluar në opozitë.

“Opozita asokohe, pra VV, shumë herë ka deklaruar që kjo pako nuk është e rimëkëmbjes dhe për këtë disa kritikonin se po i mbysim bizneset duke u pamundësuar të merrnin të hollat”, ka nënvizuar Manxhuka. “Dhe e pamë sot kush ka përfituar”.

Ministri Murati, publikoi sot listën e 50 ndërmarrjeve që përfituan më së shumti nga fondi 60 milionë eurosh i qeverisë Hoti, i dedikuar për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend, publikon listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020”, shkroi sot Murati, në njoftimin e tij. /Insajderi.org