ATK përgënjeshtron Armend Zemajn për kompetencat e mbikëqyrjes së laboratorëve për testet COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nuk është kompetencë e tij të flasë për laboratorin “Medical & Laboratory Services SH.P.K” me pronare vajzën e Blerim Devollit që po kryen teste PCR për COVID-19 me çmim prej 200 euro.

Zemaj tha se për këtë kanë përgjegjësi Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Administrata Tatimore.

“Ne i kemi licensuar më shumë se 120 laboratorë. Jemi në proces të licensimit edhe të tjerëve dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi për licensim të gjithë ata që i përmbushin kriteret do t’i licencojë. Është kompetencë e organeve tjera që t’i mbikëqyrin, qoftë Agjencionin Kosovar të Konkurrencës, qoftë Administrata Tatimore e Kosovës, por ne e bëjmë punën tone profesionale”, u shpreh Zemaj.

Në një përgjigje për Gazetën inFokus, zëdhënësja e Administratës Tatimore, Valentina Bytyqi-Sefa ka thënë se kjo nuk është kompetencë e ATK-së.

Sipas saj ngritja e çmimeve kanë qenë kompetencë e këtij institucioni vetëm në fillimin e pandemisë.

“Ju informoj se ATK më nuk e ka në kompetence inspektimin e bizneseve për rritje te çmimeve, ky aktivitet ka qenë në muajt e parë te pandemisë. Për çdo rast i cili raportohet tek ne ATK, ne e adresojmë tek organet kompetente”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Gazeta inFokus ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por që ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje në lidhje me laboratorin “Medical & Laboratory Services SH.P.K” që është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit./Gazeta inFokus/