Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë miratuan unanimisht vazhdimin e angazhimit të fuqishëm të Austrisë në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja e Jashtme, Beate Meinl-Reisinger tha se BE-ja duhet t’u bëjë ballë përpjekjeve destabilizuese në rajon. Sipas saj, Austria është e përkushtuar që Ballkani Perëndimor të mbetet i lidhur ngushtë me Evropën dhe me projektin evropian të paqes.
Parlamenti austriak thotë se “në kuadër të operacionit shumëkombësh të paqes në Kosovë (KFOR), deri në 600 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Austrisë do të dislokohen sërish në vitin 2026”.
“Detyra kryesore e KFOR-it është ruajtja e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë. Po ashtu, u miratua unanimisht vazhdimi i pjesëmarrjes së Austrisë në dy misione të tjera në Kosovë. Për administratën e përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) do të dërgohen një përfaqësues nga Ministria e Brendshme si Oficer Ndërlidhës për Operacionet Policore, një anëtar nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe deri në 50 pjesëtarë të tjerë të ushtrisë austriake”.
“Në misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) do të angazhohen deri në dhjetë oficerë policie dhe deri në tre përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë”, u tha në njoftimin e Kuvendit austriak.
Po ashtu, me pëlqim unanim u vendos që deri në 200 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Austrisë të vazhdojnë të jenë pjesë e forcave rezervë operative për KFOR-in dhe EUFOR ALTHEA.
Ndërkaq, me vendim unanim u vendos që deri në 700 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Austrisë do të dislokohen në operacionin ushtarak të BE-së EUFOR ALTHEA në Bosnjë e Hercegovinë deri në fund të vitit 2026.














