Bahtiri i kujton sllovakut Kostilnik se nga Mitrovica Veriore janë zhvendosur 15 mijë shqiptarë

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri ka pritur në një takim shefin e e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, Rastislav Kostilnik.

Bahtiri ka biseduar me Kostilnik në lidhje me situatën në komunën e tij duke folur për aspektin politik e ekonomik në Mitrovicë. Bahtiri duke shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ndërtesat kolektive që po ndërtohen për pjesëtarët e komunitetit serb, ka theksuar se nga pjesa veriore e Mitrovicës janë zhvendosur mbi 15 mijë shqiptarë, ku shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre.

Komunikat e plotë:

Kryetari Bahtiri priti në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, z. Rastislav Kostilnik Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, sot kanë pritur në takim pune shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, z. Rastislav Kostilnik.

Në këtë takim është biseduar lidhur me situatën aktuale në qytetin e Mitrovicës, respektivisht për aspektin politik dhe ekonomik në vend. Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka njoftuar z. Kostilnik për sfidat me të cilat ballafaqohet qeverisja komunale, por edhe për projekte të shumta që janë duke u realizuar në Mitrovicë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, me theks të veçantë rregullimi i shtratit të Lumit Ibër.

Gjithashtu kryetari Bahtiri ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me ndërtimin e banesave kolektive për pjesëtarët e komunitetit serb, duke theksuar se nga pjesa veriore e Mitrovicës janë zhvendosur mbi 15 mijë shqiptarë, ku shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre. Ndërkaq, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, Rastislav Kostilnik, ka falënderuar kryetarin dhe nënkryetarin për pritjen dhe gatishmërinë e Komunës për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.