Bahtiri i reagon ashpër Vuçiqit, kërkon nga kryeministri Haradinaj dhe BE-ja hapjen e Urës së Ibrit

Kryetari Agim Bahtiri i është kundërvënë deklarimeve të  presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili po dëshiron ndarjen e Kosovës në vija etnike, me ç’rast i pari i Mitrovicës ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës dhe Zyra e BE-së në Kosovë që të bëjnë veprime të shpejta dhe konkrete për hapjen e Urës mbi lumin Ibër. Në të kundërtën, Bahtiri thotë se komuna e Mitrovica do të veproj njëanshëm për hapjen e Urës.

Ai po ashtu ka kritikuar edhe presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli, për të cilët thotë se nuk po bëjnë asgjë për bashkimin e Mitrovicës dhe integrimin e plotë të veriut të Kosovës.

Ja postimi i Agim Bahtirit në Facebook:

Deklarimi i sotëm i presidentit serb Aleksandër Vuçiq ku flet për ndarje etnike, nuk është asgjë më shumë se sa ndjekje e politikës famkeqe serbe, e cila ka për qëllim coptimin e Kosovës dhe krijimin e situatave për nisjen e konflikteve të reja ndër-etnike.

Serbisë po i krijohet hapësirë për hapjen e temave të tilla edhe nga mos veprimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, ku udhëheqësit e tyre më shumë janë angazhuar ta dëmtojnë njëri-tjetrin për të përfituar poena politik, se sa që po punojnë për integrimin e plotë të veriut të Kosovës dhe shtrirjen totale të sovranitet shtetëror në këtë pjesë të shtetit tonë.

Edhe Presidenti Thaçi sot foli për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e që nëse vazhdohet me këtë diskurs propogandistik kjo e dëmton integrimin e plotë të veriut, sepse Serbisë po i krijohet përparësi për kërkesa territoriale në kohën e ‘Marrëveshjes Finale’ mes dy shteteve. Hashim Thaçi është më mirë t’i tregoj ish zëvendësit të tij Kadri Veselit, se Kosovës i ndihmon duke punuar për bashkimin e Mitrovicës, konkretisht duke e vënë në rend dite në Kuvendin e Kosovës iniciativën për bashkimin e qytetit të cilën e kam dërguar muaj më parë në zyret e tyre. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në kohën kur e kemi Mitrovicën e ndarë dhe veriut jo të integruar plotësisht, është vetëm një mjet propagandistik politik.

I bëjë thirrje Kryeministrit të Kosovës dhe Zyres së BE-së në Prishtinë, që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për hapjen e Urës kryesore mbi lumin Ibër, sepse jemi shumë kohë pas përfundimit të punimeve për revitalizimin e urës dhe tashmë është tepruar me këtë ndarje të qytetit dhe mos mundësi që qytetarët të lëvizin lirshëm.

Nëse nuk bëhet veprime të shpejta dhe konkrete për hapjen e Urës së Ibrit, komuna e Mitrovicës nuk do të rrijë duarkryq, por do të veproj njëanshëm në këtë drejtim, pasi që është interes i gjithë qytetarëve.

Çdo vonim do të jetë me pasoja. Andaj më mirë të veprohet sot, se sa të pendohemi nesër!

AB