Bahtiri: Sot, do t’i shpërndajmë 300 pako ushqimore për shqiptarët që jetojnë në veri

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës do t’i shpëndajnë 300 pako ushqimore për familjet shqiptare që jetojnë në veri.

I pari i Mitrovicës ka apeluar te shqiptarët e veriut që t’iu përmbahen masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ja postimi i Agim Bahtirit:

Qytetarë të nderuar,

Pas situatës së krijuar në komunën e Mitrovicës së veriut dhe Zveçanit, kërkoj mirëkuptimin tuaj për të qendruar të qetë në shtëpitë e juaja, sepse si institucione jemi duke punuar maksimalisht që të keni ndihmën e nevojshme dhe mos iu mungoj asgjë.

Menaxhimi i gjendjes në komunën e Mitrovicës së veriut dhe Zveçanit është në koordinim të plotë mes institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe dy kryetarëve të komunave, pasi që kjo zonë rrezikohet nga raste tjera me koronavirusin COVID-19.

Andaj qytetarë të dashur, gjithë juve që banoni në zonën e karantinuar ju apeloj që t’i përmbaheni masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Së bashku me Kryqin e Kuq sot do t’i shpërndajmë 300 pako ushqimore dhe higjienike, për secilën familje që jeton në Lagjen e Boshnjakëve, Kroin e Vitakut, Kodrën e Minatorëve, te ‘Tre Rrokaqiejt’ dhe lagjet tjera.

Vullnetarët tonë në qytetet e karantinuara po bëjnë në punë të shkëlqyeshme, duke verifikuar secilën familje në nevojë. Apeloj për qetësi absolute dhe për bashkim në këtë kohë të vështirë, në të cilën duhet ta lëm politikën anash dhe të punojnë kundër një armiku të përbashkët, që është koronavirusi COVID-19.

AB