Barça e mbylli vitin 2019 me fitore, shënuan Messi, Griezmann dhe Suarez

Viti 2019 ka qenë mjaft i suksesshëm për Barcelonën dhe katalunasit e kanë mbyllur atë siç është më së miri…

Në ndeshjen e fundit për vitin 2019 për sezonin 2019/20, Barcelona e ka mposhtur 4-1 Alavesin në ‘Camp Nou’, për t’i dhënë fund në mënyrën më të mirë një viti të suksesshëm.

Në këtë ndeshje shkëlqyen treshja sulmuese; Lionel Messi, Antoine Griezmann dhe Luis Suarez.

Ata shënuan nga një gol në këtë takim, derisa në listë u shënua edhe Arturo Vidal.

Griezmann zhbllokoi ndeshjen në minutën e 14’, derisa Vidal shënoi për 2-0 në fund të pjesës së parë, 45’.

Në pjesën e dytë, në minutën e 69-të, Lionel Messi realizoi për 3-1.

Ky ishte goli i 250 në La Liga në ‘Camp Nou’ për 32-vjeçarin në vetëm 234 paraqitje.

Golin tjetër për 4-1 e shënoi Luis Suarez nga pika e bardhë. Messi tregoi edhe njëherë se mendon më shumë për ekip, për shokë dhe ia lejoi penalltinë uruguaianit që pa problem e dërgoi topin në rrjetë.

Golin e nderit për Alavesin e shënoi Pere Pons (56’).

Barça i jep fund vitit 2019 me fitore dhe si lider në La Liga.