Bashkë me festat e fundvitit, vijnë edhe shpenzime të mëdha

UBO Consulting, një kompani vendore për hulumtime, ka realizuar hulumtimin e fundit për shpenzimet e familjeve Kosovare gjatë festave të fundvitit. Ky hulumtim u realizua gjatë periudhës 7 deri 18 Dhjetor, me 1069 respondentë nga 38 komuna të Kosovës.

Hulumtimi “Shpenzimet e Familjeve Kosovare gjatë Festave të Fundvitit” tregon se përqindja e qytetarëve që festojnë festat e fundvitit është rritur prej vitit 2018 (73%) në 2019 (81%). Për deri sa shpenzimet total që familjet Kosovare bënë gjatë festave në vitin 2018 ishin 34.2 milion euro, kjo shumë është rritur në 36.1 milion euro në 2019. Ndërkaq, shpenzimet mestare të një familjeje në vitin 2018 ishin 158 euro, ndërsa në 2019 janë 150 euro.

Në vitin 2019, 19% e qytetarëve deklaruan se nuk do të festojnë festat e fundvitit. Përqindja më e madhe e tyre (70%) pohuan se festat e fundvitit nuk përkojnë me bindjet e tyre fetare, 19% nuk do të festojnë për shkaqe ekonomike dhe 11% dhanë arsye të tjera.

Pjesa më e madhe (74%) e shpenzimeve të qytetarëve në vitin 2019 shkojnë për ushqime dhe pije, përqindje e rritur prej vitit 2018 (68%). E njëjta përqindje e shpenzimeve gjatë dy viteve (12%) i dedikohet dekorimeve festive. Për deri sa 11% e shpenzimeve në 2018 shkuan për dhurata dhe 9% për gjëra të tjera; këto përqindje u zvogëluan paksa në vitin 2019 (7% për të dyja).

Njësoj si në vitin 2018, edhe në vitin 2019, shumica e qytetarëve të Kosovës bëjnë blerjet e fundvitit gjatë periudhës 25 – 31 Dhjetor (80% dhe 89%, përkatësisht). Burimet kryesore që qytetarët përdorin për t’u informuar rreth produkteve dhe dhuratave për festat e fundvitit, edhe për vitin 2018 edhe 2019, janë televizioni dhe rrjetet sociale.

Sa i përket dhuratave që qytetarët dëshirojnë të dhurojnë apo të pranojnë, kuptojmë se përqindja më e madhe e tyre (79%) preferojnë të pranojnë para të gatshme, përderisa gjysma e tyre (50%) do të dhuronin para të gatshme. Poashtu, shumë prej qytetarëve preferojnë të pranojnë teknologji, udhëtime/bileta dhe veshmbathje. Në anën tjetër, shumë qytetarë preferojnë të dhurojnë ëmbëlsira, bizhuteri dhe libra.

Përqindja e shpenzimeve për produkte promocionale (në zbritje) në vitin 2019 (50.4%) është e përafërt me vitin e kaluar (54.7%). Ndërkaq, kur qytetarët u pyetën se cilat janë pritjet e tyre për personelin shitës të dyqaneve gjatë blerjes së produkteve për festat e fundvitit, shumica e tyre thanë se presin që personeli t’ua tregojnë ofertat dhe zbritjet (68%), dhe t’i përshëndesin/mirëpresin konsumatorët (61%).

Sa i përket vitit të ardhshëm, qytetarët kryesisht parashikojnë se do të shpenzojnë njësoj për festat e fundvitit (67%); përqindje e cila në vitin 2018 ishte dhjetë pikë përqindjeje më e vogël (57%). Në vitin 2018, 11% e qytetarëve pohuan se do të shpenzojnë më shumë; ndërsa në vitin 2019, 15% e thonë të njëjtën.

UBO Consulting është kompani lokale që ofron shërbime të konsulencës biznesore, hulumtime të tregut, dhe shërbime analitike në mbështetje të nevojave të sektorit publik dhe atij privat.