Baton Haxhiu: Kadri Veseli është moralisht i papërmirësueshëm (e thotë pozitivisht)

Në vendin ku Kadri Veseli u zgjodh lider i Partisë Demokratike të Kosovës duke mos pasur asnjë kundër kandidat në krah, moderatori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu vendosi që t’ia kushtojë një emision të tërë fjalimit të tij, duke i dërguar kreut të PDK-së mjaft lavde. Të njejtin e quajti edhe moralisht të papërmirësueshëm.

Baton Haxhiu, emisionin e tij ‘Zona B’ vendosi që t’ia kushtojë kryekput kreut të rizgjedhur të PDK-së, Kadri Veselit, e për lavdinë e të cilit, ftoi edhe njerëz të cilët për një orë të tërë folën për Veselin fjalët më të mira.

Moderatori i Klanit duke iu referuar Veselit si idealist, tha se pozicionet e tij nga lufta e tani dallojnë rrënjësisht.

“Fjalimi i tij nuk ishte i mbushur me narracionin patetik, i rikthehej rrallë herë luftës, sa herë që i duhej që brenda ta kishte një kujtesë të cilën aty e kthente nga kishte ardhur dhe e kujtonte 20 vite më herët dhe pozicionin e tij tash. Ai e pranoi që pozicioni i tij idealist i dikurshëm dhe ai sot ndryshojnë rrënjësisht. Të rinjtë i kanë dy çështje të jetojnë në Kosovën ku mundësitë nuk janë të barabarta apo, të shkojnë nga këtu dhe ta gjejnë mundësinë diku tjetër”, thotë Haxhiu duke cituar Veselin.

Në emisionin që ndërtoi ekskluzivisht për Veselin, Haxhiu e quajti kreun e PDK’së, politikan moralisht të papërmirësueshëm duke thënë se ai me moralin e tij dëshiron t’i rregullojë punët politike.

“Duke njohur Kadri Veselin që një kohë të gjatë, një politikan moralisht i papërmirsueshëm ni politikan jo tipik, nganjëherë të lë përshtypjen që dëshiron me moralin e tij t’I rregullojë punët politike”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, vetë Veseli në ditën kur mori edhe një mandat të ri, në garën që u mbajt pa kundërkandidat, foli më shumë për luftën e UÇK’së, derisa premtoi se atë do ta çlirojnë nga korrupsioni e abuzimet, ashtu si kishte luftuar kundër Serbisë.

Veseli pa asnjë votë kundër, por edhe pa kundërkandidat u zgjodh kryetar i PDK’së të dielën, për të dytën herë./GazetaExpress