Bekim Haxhiu propozon që Bekim Jashari të jetë udhëheqës i Ekipit të Unitetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka propozuar që udhëheqës i Ekipit të Unitetit të jetë Bekim Jashari, shkruan Veriu.info.

Haxhiu duke folur në Kuvendin e Kosovës për çështjen e dialogut me Serbinë, tha se figura unifikuese është Bekim Jashari.

Ai ka thënë se Jashari nuk do të lejoj të ndodhin pazare me vendin, raporton Veriu.info

“E propozoj që Bekim Jashari të jetë udhëheqës i Ekipit të Unitetit, sepse Familja Jashari na ka bashkuar në ditët më të vështira të jetë tonë, na ka treguar rrugën e drejtë. Ne kemi nevojë për një udhëheqës të pavarur që na unifikon të gjithëve, pozitë dhe opozitë, të gjithë popullin dhe nuk lejon të ndodhin pazare me vendin”, ka deklaruar Haxhiu, përcjell Gazeta Blic.

Deputeti i PDK-së ka folur për përbërjen që duhet të ketë ky ekip.

“Grupi i Unitet do të jetë i përfaqësuar nga të gjitha grupet parlamentare, pozitë dhe opozitë, presidenti, kryeministri, kryetari i kuvendit, ekspertet”, u shpreh ai.

Ky është fjalimi i plotë i deputetit Haxhiu që mbajti sot në Kuvend-

Të nderuar,
Procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë ka historikun e tij para luftës, gjatë dhe pas saj, disa e mohojnë formën e dialogut te hapurt transparent sepse janë mësuar fshehurazi të dialogojn me Serbinë, dialogu edhe këto 7 vitet e fundit ka historikun e tij, të cilin duhet shikuar nga të gjtha aspektet, si nga 19 marrëveshjet e arritura gjatë kësaj periudhe, po ashtu edhe nga detyrimet të cilat dalin nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila u aprovua pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Pra, dialogu me Serbinë është detyrim i yni ndërkombëtar, JO se ndonjëri nga NE ka dëshirë që të ulet në tavolinë me Vuçiqin apo Daçiqin. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbeshtetur nga SHBA, duhet të na bashkojë për një të ardhme të sigurt të vendit dhe të fëmijëve tanë.

NE sot do të duhej të diskutonim, për platformë, për formatin e dialogut, për ekipin dialogues, do të duhet të përfshiheshin jo vetëm të gjitha partitë politike parlamentare, por të gjitha institucionet tona përfaqesuese, të shoqërisë civile dhe të ekspertëve të fushave të caktuara që do te jepnin kontributin e tyre gjatë këtij procesi jo të lehtë.

Deri me tani më shumë është diskutuar për individë, personalitete, për zgjedhje, për pushtet, se sa për unitet dhe platformë të përbashkët. Bisedat tona, të subjekteve politike për dialogun me Serbinë kanë marrë kahje jo të duhur, të inateve dhe kapriciove të pajustifikueshme.

Partitë opozitare po synojnë që të shfrytëzojnë dialogun për të krijuar situatë për të shkuar në zgjedhje, me shpresen se ashtu do të arrijnë të vijnë në pushtet. Pra, qëllim kryesor kanë që përmes dialogut të arrijnë pushtetin.

Pozicionet aktuale pozitë dhe opozitë nuk na shpiejnë askund në raport me të ardhmen e vendit dhe në raport me Serbinë, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, sespe nuk ka parti politike e cila do ta arrijë ndonjëherë e vetme 2/3 e nevojshme të Kuvendit për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj konsensusi dhe uniteti mes nesh është i domosdoshëm.

Deri me tani partitë në pushtet kanë propozuar një platformë dhe kryetari i Kuvendit ka prezantuar platformën e tij dhe ka ftuar partitë politike për Konsensus. Pra, partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës kanë propozuar për udhëheqës të dialogut Presidentin e vendit Z. Hashim Thaçi, që është një dialogues i dëshmuar, të cilin Partia Demokratike e ka përkrahur e që është kundërshtuar nga partitë opzitare, të cilat deri me tani nuk kanë dhënë as ide, as emër se kush mundet me qenë personi që ata e propozojnë për të udhëheq dialogun, cili është ekipi që ata propozojnë, nuk ka as marrëveshje mes partive opozitare të kenë një emër, apo ekip përmes të cilit ata do të përfaqësohen, të krahasojmë ekipin e propozuar nga qeveria me atë të opozitës, të dialogojm mes vete fillimisht …të bëjmë bashkë ekipet, pozitë e opozitë, shoqëri civile, ekspertë dhe të merremi vesh edhe për udhëheqësin e ekipit në mënyrë që AI të jetë një person unifikues të cilin të gjithë do ta ndihmojmë, dhe kur të veprojmë të bashkuar sigurishtë që nuk do të dalim të humbur.

Prandaj për të ju vënë në sprovë se a jeni për konsensus, për unitet, për të shkuar të bashkuar në dialog me Serbinë, unë e propozoj Bekim Jasharin, djalin e Heroit Hamëz Jashari për udhëheqës të ekiptit të unitetit, ku do të jenë të përfaqësuar të gjitha parti politike parlamentare pozitë dhe opozitë, presidenti, kryetari i kuvendit, kryeministri dhe ekspertë të nevojshëm.

E propozoj Bekim Jasharin udhëheqës të ekipit të unitet, sepse familja Jashari na ka bashkuar në ditët me të veshtira të kombit tonë, na ka treguar rrugën e drejtë, dhe sot si asnjëherë me parë pas luftës kemi nevojë për një udhëheqës të pavarur që na unifikon të gjithëve, pozitë dhe opozitë, të gjithë popullin, dhe nuk lejon të ndodhin kurrfarë pazare me vendin.

Prandaj të nderuar kolegë opozitar, dëshmone se nuk jeni vetëm kundërshtues por edhe bashkëpunues gjatë këtij procesi dhe në procese të tjera te rëndësishme për vendin.
Të nderuar kolegë deputetë, procesi i dialogut me Serbinë është shëndrruar në procesin me të rëndësishëm të vendit, edhe pse do te duhej të ishte zhvillimi ekonomik, shëndetësia , arsimi proceset më të rëndësishëm në vend.

Sikur zhvillimi ekonomik të ndodhte në nivelin e dëshiruar, sigurisht se procesi i dialogut me Serbinë do të ishte shumë me i thjeshtë dhe ne do të ishim me të të dëshiruar në BE, ku si rezultat i kësaj rruga Evropiane e Kosovës do të ishte shumë me e lehtë.

Të nderuar, kjo përbërje e Kuvendit ka dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 të vlerësuara si ndër zgjedhjet me së miri të organizuar që nga pas lufta, zgjedhje fer dhe demokratike. Prandaj ky Kuvend me NE si ligjvënës, ka legjitimitet të plotë të votoj platformën dhe ekipin dialogues apo ekipin e unitetit. Kush do që thotë ndryshe e ka gabim, i është trubulluar mendja apo iu janë verbuar sytë nga lakmia për të ardhur në pushtet.

Është moment i fundit që ne të zgjedhurit e popullit dhe tërë klasa politike të reflektojmë, për formimin e një platforme të përbashkët dhe për formimin e një grupi konsensual të unitetit jo vetëm nga politika, por edhe nga shoqëria civile dhe profesionistë shkencor.

Kushdo që sot refuzon unitetin e ka gabim, sepse nesër nuk do të arrijë të votojë asnjë marrëveshje në Kuvend me 2/3 e nevojshme.

Nese ne nuk arrijmë të mirremi vesh mes vete, atëherë si synojmë të mirremi vesh me Serbinë.

Si do të arrijmë “traktat” njohje më Serbinë kur ne nuk e pranojmë dhe nuk e njohim njëri- tjetrin, nuk e njohim presidentin, qeverinë apo mohojmë vetë Kuvendin dhe legjitimitetin tonë.

Kur ne të jemi unik të kordinuar mes vete, të koordinuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, Serbia nuk mund të veprojë ndryshe përveçse ta njohë shtetësinë e Kosovës, nëse don të integrohet në BE.

Njohja e pavarësisë së Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve duhet të jetë kusht për Serbinë, nëse dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane.

Të nderuar deputetë, nuk jemi këtu vetëm për të kritikuar por edhe për të dhënë ide dhe kontribut. Qasja në këtë Kuvend duhet të ndryshoj. Në ditë ne vijim ne mund të merremi vesh për tema të cilat na preokupojnë, dialogu me Serbinë, reforma zgjedhor, zhvillimi ekonomik, lufta kunder korrupsionit, shëndetsia dhe arsimi me i mirë, integrimet evropiane, etj.

Të krijojmë unitet për dialogun, pastaj ekspertët tjerë të punojnë në reformën zgjedhore dhe posa të kryhen këto dy procese të rëndësishme, mund të merremi vesh për të shkuar në zgjedhje e të garojmë me projekte-programe në të mirë të zhvillimit të vendit.

Na prift e mbara!
Zoti na ndihmoftë e mendjet na i kthjelloftë.