Nga zjarret, këtë vit u shkrumbuan sipërfaqe të mëdha toke gjithandej Kosovës dhe disa nga bujqit që pësuan nga flakët thonë se dëmet janë të larta. Teksa ankohen në institucionet lokale e qendrore, kërkojnë që t’iu dalë në ndihmë “dora e shtetit”. Nga Ministria e Bujqësisë nuk kanë treguar për Radio Kosovën, nëse kanë buxhet dhe kur do të bëhet kompensimi i bujqve të dëmtuar.
Si pasojë e zjarreve që ishin jo të pakta, në ditët me temperatura të larta, nga korriku, janë djegur sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore në vend.
E marta e zjarrtë e 8 korrikut, ia gllabëroi rreth 100 hektarë grurë, që brenda pak kohësh iu shkrumbuan fermerit Sadush Kabashi.
“Me partnerë kemi të mbjella rreth 170-180 hektarë me grurë, dhe atë ditë kur u ndez zjarri atje në skaj, janë djegur rreth 100 hektarë parcelë, nga e cila edhe rreth 60 hektarë të grurit që nuk kishim arritur të korrim, deri sa zjarri e shkrumboi. Ju po i shihni këtu kajzit (kallinjtë) me grurë të bërë shkrumb e hi”, thotw Kabashi.
Fermeri nga Istogu, i cili ka mbi 300 krerë lopë, thotë se zjarret që ia dogjën grurin i shkaktuan dëme rreth 100 mijë euro.
Pas ditës kritike, askush nga institucionet nuk më ka “trokiti në derë”, për të parë a vlerësuar dëmin, thotë Kabashi.
“Në ditën që ndodhi zjarri, i pari ka ardhur kryetari i komunës, Ilir Ferati, por më pas nuk na ka vizituar askush. Institucionet më të larta nuk kanë gjetur kohë as me na telefonuar e lëre më të na vozitojnë. Deri tani askush nuk është lajmëruar. Unë nuk e di se çka do të ndodhë me dëmet, por, deri tash nuk është bërë as vlerësimi i dëmit”, tha ai.
Zjarret, disa hektarë me grurë ia dogjën edhe Malsor Sejdiut, i cili përveç 155 hektarëve me grurë ka të mbjella edhe rreth 180 hektarë me misër e luledielli. Bujku nga Podujeva po ashtu thotë se askush nuk ka bërë vlerësim dëmi të tonelatave me grurë të djegur.
“Një kërkesë e kam bërë në Komunën e Podujevës, tash po presim. Nëse na ndihmon diçka Komuna ose Qeveria, është mirë. Është mirë që jo vetëm mua, por të gjithë që kanë pësuar nga zjarri të përkrahen sado pak, sepse humbjet janë të mëdha. Unë për shembull, më së paku kam humbur 100 tonë me grurë”, thotë Sejdiu.
Jo tokë të mbjellë me grurë, por pemishten me trupa të shumtë me mollë, të varieteteve të ndryshme, iu shkrumboi zjarri edhe Enver Osmanajt, i cili thotë se brenda një kohë të shkurtër u shkatërrua pemishtja ku kishte investuar, punuar e përfituar prej vitesh. Pemëtari nga Kovraga e Istogut thotë se akoma askush nuk ia ka bërë vlerësimin e dëmit të madh.
“Nga qeveria dhe komuna askush te dera nuk na ka ardhur. Dëmi është ekstrem i madh. Unë 16 vite kam investuar në pemishte e për këtë kam marrë edhe kredi. Mollët janë shkrumbuar, edhe pse i kanë pasur edhe 20 vite jetëgjatësi. E kur e shumëzon për 20, që ke marrë rreth 15-16 mijë euro në vit, dëmi po del diku 300 mijë euro. Unë e kisha lutur qeverinë që për këto dëme që na janë shkaktuar, të marrë një vendim për kompensim”, tha Osmanaj.
Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë se a është bërë vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret si dhe kur pritet që ministria apo edhe Qeveria t’i kompensojë bujqit e dëmtuar. Përkundër interesimit, nga kjo ministri, nuk kanë kthyer ende përgjigje, duke mos treguar edhe nëse kanë një fond të veçantë për të ndihmuar bujqit që pësuan nga zjarret.