Challandes zbulon nëse do të largohet nga Kosova

Challandes dëshiron të qëndrojë te Kosova. Ai thotë “Nuk e shoh veten duke u larguar tani dhe Kosovën ta drejtoj dikush tjetër në ‘Euro 2020”

Trajneri zviceran, Bernard Challandes, edhe njëherë ka treguar dëshirën për të vazhduar qëndrimin në stolin e Kombëtares së Kosovës.

Në një intervistë me “Lematin.ch”, Challandes ka thënë se aventura e tij me Kosovën ende s’ka mbaruar.

Ai foli edhe për mungesën e ndeshjeve me ‘Daradanët’ për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Ekipet kombëtare aktualisht janë viktimat më të mëdha të kësaj krize”, thotë fillimisht Challandes.

“Unë jam duke lexuar për ushtrime dhe ide për futbollin, por është duke më munguar adrenalina e ndeshjeve”, tregon Challandes, skuadra e të cilit do të përballet me Maqedoninë e Veriut në Ligën e Kombeve.

Megjithatë, trajneri zviceran ende nuk e di saktë se kur do të zhvillohet kjo ndeshje.

Tutje, ai flet edhe për kontratën e tij me Kosovën, teksa thotë se dëshiron të mbetet me “Dardanët”.

“Unë dua të qëndroj, është dëshira ime të vazhdoj këtë aventurë. Në anën tjetër, ekziston vullneti i federatës, mediave dhe tifozëve për qëndrimin tim. Për të rinovuar kontratën, ne duhet të pajtohemi për kushtet”, shtoi Challandes.

Me Kosovën, Challandes ka regjistruar 11 fitore, pesë barazime dhe katër humbje.

“Kosova ende mund të rritet dhe të kualifikohet në Evropian. Ka potencial. Nuk e shoh veten duke u larguar tani dhe Kosovën ta drejtoj dikush tjetër në ‘Euro 2020”, përfundoi ai.