Dallimet brenda LDK-së, Shala: Amerika nuk e pranoi Kurtin në dialog, Hoti: Ai u ftua për ta udhëhequr

Mospajtimet e para publike në mes të partnerëve qeverisës, LDK e Vetëvendosje, nisën për punën e dialogut, taskës e reciprociteti.

Ani se këto dy të fundit ishin edhe në marrëveshjen paraprake mes dy partive, LDK tha që duhet të hiqet taksa e të mos vendoset reciprociteti, ndërsa për këtë nuk u pajtua Vetëvendosje, shkruan gazeta inFokus.

Kësisoj, LDK e quajti anti-amerikane partinë e Kurtit, pasi edhe i dërguari i posaçëm Richard Grenell bënte thirrje për heqje pa kushte të tarifës.

Por, edhe në mesin e LDK-së, ka kundërthënie të mëdha sa i përket kësaj pune.

Fillimisht, kur u paralajmërua heqja graduale e taskës e vendosja e reciprocitetit, nënkryetari i LDK-së e asokohe zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, pati thënë në Pressing të Televizionit 7 se si të hiqet taksa, ai bashkë me Albin Kurtin do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë e të nisin dialogun, shkruan gazeta inFokus.

“Nëse taksa hiqet nesër ne të martën jemi në shtëpinë e Bardhë në krye të procesit të dialogut, është kaq e thjeshtë, z. Kurti, Qeveria, z. Kurti dhe unë jemi në krye të procesit të dialogut, ne kemi ftesë tash e tri javë, hiqeni taksën ejani në procesin e në krye të dialogut”, pati deklaruar Hoti.

Ndërsa, tash Kujtim Shala, anëtari i kryesisë së LDK-së, po thotë një deklaratë krejt tjetër.

Ai po thotë që pavarësisht taksës, Kurti nuk u pranua nga amerikanët.

“Pyetja jonë e drejtpërdrejtë ka qenë kjo, po nëse hiqen tarifa dhe reciprociteti dhe të gjitha, a do të mund t’i prijë kryeministri i Kosovës, delegacionit, përgjigja ka qenë jo, nga administrata amerikane”, ka deklaruar Shala.