Deputeti i AAK’së ‘i jep krahë vetes’: Pas reagimit tim, jepen falas tri barna për Covid-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka aprovuar propozimin e grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) që për zbatimin e masave të veçanta, për pacientët me Covid-19, si Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine. E, për këtë vendim deputeti i AAK’së, Gazmend Syla i jep merita vetes, duke thënë se vetëm pas reagimit të tij këto barna do të jepen falas.

Syla ka thënë se thënë se një vendim i tillë erdhi pas reagimit të tij të bërë me 31 gusht.
“Të dashur qytetarë pas deklarimit tim të datës 31 gusht, rreth çmimit të lartë që qytetarët paguajnë për shërim nga Covid-19, organet përgjegjëse për shëndetësinë paskan reaguar pozitivisht. Që nga dje, tri medikamentet kryesore do të jepen falas si pjesë e listës esenciale: Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine. Secili resor qeveritar, ka këshilltarë të mjaftueshëm, të cilët duhet të këshillojnë për veprime në dobi të qytetarëve, e jo të paguhen kot. Veprimet nuk duhet të merren vetëm pas presionit’, ka shkruar Syla në Facebook.

Kujtojmë që nga e marta barnat që përdoren për trajtimin e pacientëve me COVID-19 si Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine, do të importohen pa autorizim të marketingut për produktet.

Ministria e ka aprovuar këtë propozim të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik mbi menaxhimin dhe trajtimin e COVID-19.

Në njoftimin e ministrisë thuhet që ky aprovim vlen për periudhën gjatë pandemisë COVID-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta.

“Duke pasur parasysh situatën emergjente të krijuar si rrjedhojë e pandemisë së virusit Covid- 19, Grupi profesional i AKPPM-së, bazuar në nenin 39 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale e ka parë të arsyeshme që të krijohet mundësia e importit të barnave Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine me kushte të veçanta pa autorizim për marketing, në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik nr. 9 mbi menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjithashtu, Ministri Zemaj do të autorizoj përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj./gazetametro.net