Edhe Greqia merr këtë vendim sikurse Kosova

Autoritetet greke kanë vendosur që rihapja e shkollave dhe fillimi i vitit të ri shkollor të shtyhet për datën 14 shtator për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit.

Rritja e numrit të rasteve të koronavirusit në javët e fundit i ka detyruar autoritetet që t’i rikthejnë gradualisht masat kufizuese me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes së re gjatë kulmit të sezonit turistik. Nga këto masa janë prekur shumë ishuj të popullarizuar dhe kryeqyteti Athina.

Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, tha se shtyrja e rihapjes së shkollave është e nevojshme për familjet që të kthehen në qytetet e mëdha nga pushimi veror dhe të kalojnë ca kohë në shtëpi para se fëmijët të kthehen në shkolla, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“U bëjmë thirrje të gjithë prindërve të kthehen me fëmijët e tyre në shtëpi gjatë ditëve të ardhshme dhe të sigurohen që ata janë të sigurt deri në rifillimin e mësimit”, tha Petsas.

Vendosja e maskave do të jetë e detyrueshme në të gjitha hapësirat e brendshme të shkollave në mbarë vendin.

Deri më tani, Greqia i ka regjistruar 266 viktima të koronavirusit dhe mbi 10 mijë të infektuar. Këto shifra janë shumë më të ulëta se numri i rasteve në vendet fqinje.