Edhe kryetari tjetër i shkarkuar nga LDK, thotë se kjo ishte hakmarrje për shkak se e mbështeti Vjosa Osmanin

Shkarkimi i dy kryetarëve të nëndegëve në Mitrovicë ka nxitur reagimin edhe të kryetarit të shkarkuar të nëndegës Ura e Gjakut, Bekim Muja, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Edhe Muja ka theksuar se shkarkimi i tij erdhi si hakmarrje se mbështeten Vjosa Osmanin.

Ky është reagimi i plotë:

Fillimisht i kërkoj falje të gjithë elektoratit të LDK-së, që në vitin 2017 në çdo cep të territorit të Mitrovicës e kërkova voten për Safet Kamberin për Kryetar te Komunës së Mitrovicës, madje pikërisht në lagjen Ura e Gjakut, u mbajt tubimi më madhështor prej të gjitha lagjeve për garën e të parit të Komunës. Kurse po i njejti individ sot më shkarkoj nga pozita e Kryetarit të Nëndegës “Ura e Gjakut” në Mitrovicë.

Pas raundit të parë zgjedhor, unë dhe disa kryetar nëndegësh i kërkuam Safet Kamberit që ta mbështesim kandidatin tjetër për kryetar komune, Agim Bahtiri, i cili është edhe themelues i LDK-së në Mitrovicë dhe ai kishte përball kandidaten e PDK-së dhe ne ishim mes dy zgjedhjeve. Por është ky Safet Kamberi që nuk e pranoj kërkesën tonë dhe kishte vendosur të lidhte koalicion heshtazi me PDK-në, duke shkelur kështu mbi vullnetin e elektoratit të LDK-së dhe duke shkelur premtimin se nuk do të bënte koalicion me PDK-në. Po ashtu Safet Kamberi bëri shkelje të Statutit të LDK-së me marrëveshjen për koalicion me PDK-në.

Mirëpo, e vërteta nuk qendron se shkarkimi ynë ndodhi për shkak se jam drejtor në Qeverinë Komunale të kryetarit Agim Bahtirit, pasi që ne jemi tash e tri vite në këto pozita dhe askush nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj nesh. Po qëllimi i shkarkimit tonë është të përkrahja që i kemi dhënë Vjosa Osmanit gjatë gjithë kohës, të cilën përkrahje jemi duke i dhënë akoma panderprerë.

Të nderuar anëtarë dhe votues të LDK-së, unë dhe Tafil Peci jemi me LDK-në e Dr. Ibrahim Rugovës, pasi që e mbështetum gjithmonë vullnetin e popullit.
Me respekt, Bekim Muja