Edi Rama flet për mikpritje pas rrahjes së spanjollëve, asnjë reagim për rrahjet e kosovarëve

Për rrahjen e disa turistëve të huaj spanjollë nga një pronar lokali në Shqipëri, ka reaguar edhe kryeministria e vendit.

Kryeministri, Edi Rama, sulmuesin e ka quajtur ‘barbar’ dhe ka thënë se ai e ka shkelur kodin e mikpritjes shqiptare duke na turpëruar të gjithëve.

“Miqve spanjollë i kemi kërkuar qysh në momentin e parë, ndjesat tona dhe ata do të rikthehen përsëri. Ndërsa barbari uroj të mos i shpëtojë dot duarve të drejtësisë”, ka shkruar Rama në rrjetin e tij social Facebook.

Mirëpo, këtë gjë, Rama nuk e ka bërë kur janë ofenduar e rrahur turistët kosovarë që vendosnin pushimet verore t’i kalonin në plazhin shqiptar.

Nuk janë të rralla rastet kur shumë kosovarë janë sulmuar nga pronarë lokalesh në plazhet shqiptare. Një nga to, është kur disa kosovarë janë sulmuar dhunshëm nga mbikqyrësi i çadrave në plazhin e Velipojës.

Ai thuhej se i kishte detyruar kosovarët të paguanin dy herë ndërsa pushuesit nuk e kishin pranuar një gjë të tillë.

Korrikun e kësaj vere, në plazhin e Shëngjinit, ishin sulmuar disa pushues kosovarë nga vendasit. Ata ishin goditur me gurë dhe shqelma.

Një rast tjetër që asnjë institucion i shtetit të Shqipërisë nuk kishte reaguar, ishte kur vite me parë, dy gjilanas ishin rrahur nga dy shtetas të Shqipërisë. Ndaj tyre ishin përdorur mjete të forta e armë të ftohta./Insajderi