Hashim Thaçi para nisjes në Hagë i liroi nga burgu Shpresim Ukën e Bekim Sylën, të dënuar në “Rastin Bllaca”

Një ditë para se t’i konfirmohej aktakuza, tash ish presidenti Hashim Thaçi, me dekret ua ka falur dënimin 5 të burgosurve që janë në vuajtje të dënimit në burgje, ku dy nga të dënuarit janë nga “Rasti Bllaca”. Bëhet fjalë për Shpresim Ukën e Bekim Sylajn, shkruan Gazeta inFokus.

Në dekretin 161/2020, të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus, qe që mbanë datën e 4 nëntorit 2020, thuhet se presidenti vendimin për falje ndaj 5 të burgosurve e ka marrë  bazuar në kompetencat që ia jep Kushtetuta e Kosovës dhe mbi bazën e Raportit të Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Falje, të datës 28 shtator 2020.

Po kush janë dy nga pesë të falurit e ish presidenti Thaçi?

Dy nga pesë të falurit e ish presidentit Hashim Thaçi, janë Shpresim Uka e Bekim Sylaj, të cilët janë dënuar në vitin 2012 me nga 15 e 12 vite burg për vrasje të rëndë.

Të dy këta të dënuar kanë qenë pjesë e rastit të famshëm të asaj kohe të njohur si “Rasti Ballaca”, ku Nazim Bllaca ishte dëshmitar bashkëpunues i gjykatës.

Shpresim Uka ishte dënuar me një dënim unik prej 15 vitesh burg dhe është duke e vuajtur dënimin në Burgun e sigurisë së lartë, kurse me dekretin e ish presidentit, i janë falur 4 vite burg.

Ndërsa Bekim Sylaj, është i dënuar me 12 vite burg, të cilin po e vuan po ashtu në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe nga ky dekret përfiton falje të 3 viteve burg.

Aktakuza

17.12.2012

Sipas aktakuzës, të pandehurit në pikën 1 ishin: Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka në bashkëkryerje me Nazim Bllacën (i deklaruar si dëshmitar bashkëpunues nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë) kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë”, të dënueshme sipas ish-Ligjit Penal të Kosovës.

Të pandehurit në këtë pikë akuzohen se më 6 gusht të 1999-ës, kanë vrarë Ibush Kllokoqin duke e lënë të vdekur me disa të shtëna me armë zjarri. Atë natë Fahredin Gashi i kishte siguruar Nazim Bllacës një lloj të armës Skorpion. Pastaj ata së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylën dhe Sadik Abazin shkuan te shtëpia e Ibush Kllokoqit.

Shpresim Uka kishte pritur afër shtëpisë, ndërsa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kishin trokitur në derën e shtëpisë së Kollokoqit thuhet më tutje në pikën një të aktakuzë. “Kur viktima u shfaq në derë, Nazim Bllaca e vrau atë me së paku 6 plumba”.

Në pikën dy të aktakuzës akuzohet Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla në bashkëkryerje me Nazim Bllacën kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë, të paraparë me ish-Ligjin Penal të Kosovës.

Të pandehurit kishin tentuar ta vrasin Ismet Arifin, duke shtënë disa herë në të thuhet në aktakuzë. Aty përshkruhet se në ditën kritike, të pandehurit kanë shkuar në ndërtesën e Arifit. Fahredin Gashi po ruante te dera e hyrjes së ndërtesës, Nazim Bllaca dhe Shpresim Uka po ruanin në katin e tretë, përderisa Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Bekim Syla kanë shkuar në apartamentin e Arifit.Ata kanë trokitur në derën e Arifit; aty kishte dalë gruaja e tij, kurse ata tentonin që të flisnin me Arifin. Pasi që Arifi del nga apartamenti, ata urdhërojnë t’i ndjek ata, ndërsa viktima refuzon.Arifi menjëherë pas refuzimit kapet për qafe dhe është qëlluar në shputën e tij të zbathur. Por, Ismet Arifi kishte mundur të ikte shkallëve të sipërme të ndërtesës, e dikush nga të pandehurit kanë qëlluar me disa të shtëna, por ato nuk e qëlluan viktimën.Këtë pikë të aktakuzës, gjykata e rikualifikoi juridikisht duke e bërë në “Kidnapim i mbetur në tentativë”, ashtu që edhe këtë pikë të aktakuzës e refuzoi pasi që ishte parashkruar.Në pikën e trete të aktakuzës, për të cilën të pandehurit Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla, u shpallën fajtorë akuzohen që së bashku me Nazim Bllacën më 12 qershor 2000 kishin tentuar të vrisnin Adem Salihajn. Vepra ishte kualifikuar si vrasje e rëndë në tentativë.

Me dekret të presidentit Hashim Thaçi, vetëm një ditë para se atij t’i konfirmohej aktakuza nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka dekretuar faljen për pesë të dënuarit, Ilir Avdyl Morina që është duke e vuajtur dënimin në Qendrën korrektuese në Dubravë, i falen 2 vite, Veton Gjavit Gjoshi, që është në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, i falen 2 vite, Bekim Hasan Sylaj, që është në vuajtje të dënimit në Burgun e Sigurisë së Lartë, i falen 3 vite e 6 muaj, Shpresim Ukshin Ukaj, që është në vuajtje të dënimit në Burgun e Sigurisë së Lartë, i falen 4 vite dhe Safet Ramë Haliti, që është në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, i falen 6 muaj. /Gazeta inFokus/