Gazeta e Vuçiqit ofendon shqiptarët dhe kryqëzon Albrightin, Serwerin dhe Engelin

Gazeta serbe ‘Informer’ në ballinën e saj ka ofenduar shqiptarët dhe ka akuzuar ish-sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, profesorin Daniel Serwer dhe mikun e shqiptarëve në Amerikë, kongresmenin Elliot Engel.

Kjo gazetë e kontrolluar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shkruar “Plane ferri nga Uashingtoni: Shqiptarët e këqij kërkojnë nga Serbia njohjen e Kosovës dhe të largohen nga serbët”.

Presidenti Vuçiq, dje ka folur rreth ndërrimit të administratës në SHBA. Ai ka thënë se Serbia do të përballet me një presion të madh për punën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se ka pasur të drejtë kur ka thënë se Joe Biden s’do të jetë i favorshëm për Serbinë.

“Unë pres presion të madh kur vjen puna te Kosova. Do të luftojmë për të vërtetën, do t’ua themi njerëzve të vërtetën. S’do të them fjalë të këqija për Engelin, Albrightin, Serwerin. Le të flasin për mua. Është puna jonë të mbrojmë interesin dhe të bëhemi të sjellshëm”, ka theksuar Vuçiq.

Të nesërmen, gazeta e Vuçiq nxori në ballinë Engelin, Albrightin dhe Serwerin duke i akuzuar se po përgadisin një plan djallëzor.

E sot e dje ka pasur vazhdimisht reagime nga Serbia ku thuhet se Engel po përpiqet para pensionimit ta ndihmojë Kosovën duke ndikuar në administratën Biden.

Kujtojmë se fjala šiptarsko, e përdorur nga e përditshmja serbe ka konotacion ofendues dhe racist për shqiptarët. Fjalën e tillë e gjejmë edhe në dokumentet zyrtare të institucioneve serbe.