Glauk Konjufca shkoi në zyrat e LDK-së, Avdullah Hoti tregon detajet

Pak minuta para se të fillonte mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për caktimin e datës për shpërbërjen e Kuvendit, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është parë duke hyrë në zyrën e GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Por se, vizita e shefit të GP-së të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka të bëj lidhur me ndonjë koalicion të mundshëm mes LDK-së e VV-së, është mohuar nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti për Gazetën Blic ka thënë se ky takim ka qenë për tu koordinuar në mes vete për shpërndarjen e Kuvendit dhe votimin e marrëveshjes IPA.

Takimi i z. Konjufca ishte për tu koordinuar për shpërndarjen e Kuvendit dhe për votimin e marrëveshjes IPA, e cila ka mbetur në procedura në mungesë të normalitetit të punës së Kuvendit”, tha Hoti.

Së fundmi, zërat për një koalicion mes këtyre dy partive janë shtuar edhe pas takimeve të mëhershme të dy krerëve të këtyre partive.

Madje, Lëvizja Vetëvendosje ka një disponim që të ketë një qeverisje të mundshme me LDK-në porse, LDK deri më tani është shprehur e gatshme që në zgjedhjet e parakohshme të futet si parti e vetme.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që me datën 22 gusht të shpërbëhet Kuvendit i Kosovës, kurse, siç tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli vendi mund të shkoj në zgjedhje brenda 45 ditësh./Gazeta Blic.