Greva e autobusëve, Kurtishaj: Asnjë nisje s’është bërë për në Prishtinë

Në mëngjesin e së mërkures ka filluar greva e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.

Kësisoj, qytetarët të cilët ia “mësyjnë” Prishtinës dhe qyteteve të tjera s’do të kenë mundësi të udhëtojnë me autobus.

Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj, për IndeksOnline ka thënë se deri më tani asnjë nisje e autobusëve nuk është bërë drejt Prishtinës.

Kurtishaj tha se janë të vendosur për protestë dhe nuk heqin dorë deri në realizimin e marrëveshjes.

“Sipas informatave që kam, të gjithë operatorët në nivel të Kosovës iu kanë përgjigjur vendimit të Shoqatës dhe asnjë nisje nuk është bërë nga qytetet në drejtim të Prishtinës. Transporti Urban është në zbatim të vendimit të Këshillit të Shoqatës për protestë”, tha ai.

Kurtishaj ka thënë se në momentin kur të pëmbushen kërkesat, përkatësisht marrëveshja me Ministrinë e Infrastrukturës për subvencionim të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus do të ndërpritet edhe protesta.

Ndryshe, subvencionim për 0.50 cent për kilometër për secilin operator ekonomik, në bazë të rendeve të udhëtimit për lindjet e rregullta për operatorët e transportit rrugor me autobusë, të sigurohet pagat e punëtorëve nga Qeveria dhe të largohet TVSH. Këto janë disa prej kërkesave që Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve i ka drejtuar në adresë të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti.