Gruaja me përgjigje të papritur ndaj Donika Gërvallës pasi tha se Rexhep Selimi ishte pjesë e botës së krimit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, është bërë kryetemë mediale pas shpërfaqjes së deklaratave në lidhje me disa prej krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe shefin e Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimin.

Jo më larg se para një viti, Gërvalla Schwarz kishte kritikuar ashpër Vetëvendosjen për emërimin e Selimit në pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Ajo e cilësonte Selimi, pa ofruar ndonjë provë, si “figurë të botës së krimit”. Sot, deklaratat e Gërvalla Schwarz u mbrojtën edhe nga shefi i saj, Albin Kurti.

Periskopi ka dashur të dijë qëndrimin e bashkëshortes së Rexhep Selimit, deputetes Shqipe Selimi, në lidhje me deklaratat e dhëna nga Gërvalla në shkurtin e 2020-s. “Gërvalla në shkurtin e vitit 2020 e kishte konsideruar Rexhep Selimin [burrin tuaj] si “figurë të botës së krimit”.

Si e vlerësoni këtë deklaratë?” – e ka pyetur gazetari. “P’e di për çka më ke thirrë. Negative e ki përgjigjen. Më vjen keq por nuk jam e gatshme për intervistë qitash, tjetër herë për naj temë mujna me fol.

Po nuk jam e gatshme hiç unë për me folë për këtë teme. Për tema tjera mujna me fol me diskutu, por për këto një herë nuk është koha me fol hiç?” – ka thënë ajo.