Hashim Thaçi dhe Petrit Selimi humbjen e 150 milionëve përpiqen ta shesin si sukses

Nga 200 deri në 500 milionë dollarët e premtuar nga Qeveria e Kosovës si fond nga Korporata për Sfida të Mijëvjeçarit e SHBA’së, Kosova mori vetëm 49 milionë dollarë. Nga zyrtarë të Qeverisë dhe udhëheqës të Zyrës së këtij projekti, jepet shifra 50 milionë dollarë, e cila nuk është e saktë. Udhëheqëi i kësaj zyre, aktualisht është Petrit Selimi, ish zëvendësministër i Jashtëm dhe njeriu më i afërt i Hashim Thaçit. Ndërkohë, nuk flitet se si Kosova humbi 150 milionë dollarët e premtuara. Cila është historia e rrugëtimit të Kosovës në përfitimin e këtij fondi? Si e ‘shkatërroi’ korrupsioni dhe qeverisja e dobët shumën e parave që SHBA parashihte t’i jepte për Kosovën?

Korporata për Sfida të Mijëvjeçarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila udhëhiqet nga Sekretari i Shtetit Rex Tilerrson, ka marrë vendim për ndarjen e 49 milionë dollravë për programin ‘Threshold’ në Kosovë. Qeveria e Kosovës, fillimisht pati premtuar se nga ky program, Kosova do të përfitonte nga 100 deri në 500 milionë dollarë. Por, si u bë që Kosova mori vetëm 49 milionë dollarë nga ky program dhe pse kjo shumë parash proklamohet si sukses?

Në komunikatën e lëshuar nga Korporata për Sfida të Mijëvjeçarit (MCC), thuhet se me ndarjen e 49 milionë dollarëve, do të ketë bashkëpunim me qeverinë e Kosovës për programe zhvillimore, ekonomike si dhe për sundimin e ligjit.

“Përgjatë zhvillimit të projektit, Kosova është bërë partnere e SHBA’së. Ne do të shikojmë mundësitë e bashkëpunimit me qeverinë për mbështetjen e efiçiencës dhe mbështetjen institucionale drejt rritjes ekonomike nga të cilat do të përfitojë populli i Kosovës’, thuhet në komunikatën e MCC’së, shkruan Periskopi.

 

Pse Kosova nuk mori mbi 200 milionët e premtuara? 

Kosova ka nisur përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC’në që prej vitit 2010. Por, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme nga Kongresi Amerikan, performancë e dobët e qeverive kosovare dhe korrupsioni, po ndalonte anëtarësimin e Kosovës në këtë Korporatë.

Ky proces, fillimisht ka nisur nga ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila në shkurt të vitit 2015, themeloi Grupin Ndërinstitucional për të arritur kualifikimin e Kosovës në MCC.

Por vetëm në vitin 2015, Kosova kishte kaluar pragun e kërkuar nga MCC, praktikisht, përmbushjen e vetëm 13 nga 20 kriteret që kërkoheshin për anëtarësim.

Pas përfundimit të mandatit të Jahjagës, këtë punë ‘e merr në dorë’ Qeveria e Kosovës.

Më 20 prill 2016, qeveria nxori një vendim për themelimin e Zyrës  për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas këtij vendimi, fillimisht Zyra e MCC-së do të kishte Koordinator dhe Ekonomist Kryesor, dhe iu nda një buxhet fillestar prej 25 mijë eurosh për funksionalizimin e saj.

Si u politizua edhe procesi i Sfidave të Mijëvjeçarit?

Kryeministri Isa Mustafa kishte emëruar zëvendësministrin e Jashtëm nga radhët e PDK’së në krye të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimin.

Ambasada Amerikane, atëkohë, kishte deklaruar se kandidati për postin e Koordinatorit të Zyrës së MCC-së duhet të ishte person në gjendje që t’u përgjigjet presioneve nga politikanët, drejtuesit e biznesit dhe publiku, dhe që duhet të ishte më i kualifikuari në detyrën e tij.

Për analistin e politikave në Institutin GAP, Berat Thaçi, emërimi i Selimit, njeriut më të afërt të Hashim Thaçit, në krye të kësaj zyre, nuk ishte domosdoshmërisht një sinjal negativ, por thoshte se ekzistojnë edhe rreziqe.

“Një rrezik potencial që mund të dalë në rast se lihet në diskrecion të koordinatorit për zgjedhjen e projekteve, është mundësia që fondet për këto projekte të orientohen në baza politike, për shembull, të mbështeten projekte në komuna të udhëhequra nga një parti e caktuar”, kishte deklaruar Thaçi për JNK’në.

Por, Ambasada Amerikane, sërish kishte reaguar, duke thënë se kishte marrë garancinë se ‘ai (Petrit Selimi v.j.) do të ishte i përkushtuar në rolin e tij.

Korrupsioni –  faktori kryesor që Kosova dështoi të marrë shumën e premtuar nga Qeveria e saj

Që nga viti i kaluar, është paralajmëruar se pritshmëritë e Qeverisë së Kosovës për ta fituar shumën që ua premtoi qytetarëve, nuk do të ishin pozitive.

Kosova parashihej të merrte fondin e madh të premtuar nga program ‘Compact’ i Korporatës së Sifdës së Mijëvjeçarit (MCC). Mirëpo kjo nuk ndodhi, si pasojë e keqqeverisjes dhe nivelit të lartë të korrupsionit në vend.

Kosova u bë përfituese e vetëme e programit që njihet si ‘Threshold’ , i cili është një kategori më e ulët se ajo ‘Compact’.

FOTO/SKEMA: Ja çka parasheh programi Threshold dhe fazat e implementimit të tij: 

FOTO/ SKEMA: Programi KOMPAKT dhe fazat e implementimit të tij 

Pse ndodhi kjo?

Pasiqë edhe vetë MCC, sqaron se vendet që arrijnë të marrin ‘Threshold’ (ashtu si Kosova tani) e jo atë ‘Compact’ që parasheh edhe shumën e parave prej mbi 200 milionë dollarësh, duhet ta luftojnë korrupsionin.

Në një sqarim që MCC jep se si ka fituar Sierra Leone të hyjë në nivelin ‘Compact’ thotë:

“MCC do të vazhdojë përkrahjen ndaj Sierra Leone në përpjekje për të siguruar performancë më të lartë të politikave dhe masave të caktuara nga MCC, në veçanti në kontrollin e korrupsionit”.

Edhe vetë Koordinatori Nacional i Zyrës së Sidave të Mijëvjeçarit Petrit Selimi, në një intervistë për Epokën e Re të datës 05.05.2017, pranon se Kosova fillimisht ka synuar programin kompakt me MCC’në, por që më vonë Kosova vendoset në grupin e shteteve ‘Threshold’ ku nuk jepet shuma optimale e pritur.

Është e vërtetë që fillimisht jemi kualifikuar për ndihmë nga programi kompakt, që ka nënkuptuar edhe investime infrastrukturore, por ndërkohë Kosova është vendosur në grupin e shteteve Threshold dhe aty presim një shumë që do të jetë optimale dhe me të vërtetë domethënëse për fushat në të cilat do të përfshihemi, siç është rritja e efiçencës energjetike në ekonomi familjare, pastaj kontrolli i ndotjes së ajrit apo transparenca në gjykata”, thotë Selimi në këtë intervistë.

Ndryshe, në ditën kur Bordi i MCC’së vendosi t’ia jap Kosovës shumën prej 49 milionë dollarësh, Nepali kaloi në nivelin e programit ‘Kompakt’ aty ku Kosova synoi të ishte fillimisht. Në këtë program, janë edhe shumë vende si Gana, Nepali, Sierra Leone, Tanzania, etj., që tregon se këto shtete kanë përmbushur kriteret për të marrë shumat optimal që garantojnë programet e MCC’së.

Në këtë mënyrë, Hashim Thaçi, i cili ka udhëhequr dy mandate qeveritare dhe Petrit Selimi, po tentojnë ta paraqesin si sukses këtë shumë parash të ndara nga MCC. Por, duke mos arritur shumën e premtuar dhe duke mos u pranuar në programin që parashihte shumën e të paktën 200 milionë dollarëve, ky është një dështim, bazuar në vetë kriteret e MCC’së që janë luftimi i korrupsionit dhe niveli i lartë i keqqeverisjes. /Periskopi/