Haxhi Shala tregon se çfarë po ndodh me projektligjet për Ushtrinë

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Haxhi Shala, ka bërë të ditur se shqyrtimi i pakos së tri projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri nuk ka përfunduar ende.

“Projektligjet tashmë janë kthyer nga seanca, janë sjellë në Komision, Komisioni është duke bërë punën e vet, ka krijuar grupin punues i cili është duke shikuar me radhë çdo ligj. Njëkohësisht grupi punues e ka edhe opinionin e deputetëve në seancë, edhe opinionin e qytetarëve pasi janë bërë dy lexime publike. Në bashkëpunim me Ministrinë e FSK-së është duke e kryer punën e vet”, ka deklaruar ai.

Me këtë rast Shala është shprehur optimist se grupi punues do ta përfundojë punën shumë shpejt.

“Pas aprovimit të punës së grupit punues, atëherë ligjet i dërgohen komisioneve të përhershme, pra komisionet e përhershme brenda dy javëve duhet ta përfundojnë punën e tyre dhe në bazë të Rregullores t’ia kthejnë Komisionit dhe Komisioni menjëherë i procedon në Kryesi”, ka shtuar ai.

Por ani pse fillimisht ishte thënë se në nëntor do të mbahej leximi i dytë i projektligjeve, Shala ka thënë se nuk mund të dihet me saktësi se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Se kur ndodh kjo, sa merr kohë, nuk e di. Nuk mund të themi një javë, dy javë, tri, katër ose pesë javë. Por sidoqoftë është në procedurë, procedurat janë duke u zbatuar dhe besoj që shumë shpejt do të përfundojë dhe do të procedohet në seancë për lexim të dytë”, ka theksuar ai, teksa është shprehur optimist se brenda këtij viti do të ndodhë leximi i dytë dhe do të përfundojë çështja e transformimit të FSK-së.

Ndërkaq nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se projektligjet për ushtrinë do të dërgohen para deputetëve posa të vijnë në Kryesi nga komisioni përkatës.

“Projektligjet janë në shqyrtim nëpër komisionet e Kuvendit dhe kur të përfundojë shqyrtimi në komisione, protokollohen dhe ndoshta nuk do të ketë nevojë që të ketë diskutim publik. Por sidoqoftë varet nga Ministria e FSK-së, nga Qeveria, se a do të organizojë dëgjim publik”, është shprehur ai.

Megjithëkëtë para leximit të dytë, sipas Halitit, duhet që fillimisht të rregullohen disa çështje.

“Janë disa çështje që kanë të bëjnë me buxhetin, kanë të bëjnë me raportet tona që i kemi me NATO-n. Nuk jam shumë i sigurt se cilat do të jenë përgjigjet sa i përket kësaj çështjeje. Në njërën mënyrë ose në tjetrën ne duhet t’i konsultojmë”, ka shtuar ai.