Në Kosovë shpesh lind një pyetje sa herë dikush shfaqet me rroba “firmato” se A është origjinale, a është e licencuar, apo është prej Turqie? Kjo doli përsëri në skenë kur Ministri Peci shkoi në stallë me një maicë që disa media e çmuan 350 euro të markës Casablanca, ndërsa ai vetë u përgjigj se e kishte blerë “35 euro, në një butik të thjeshtë”. Por ndërkohë që për Pecin dilema mbeti vetëm “a është origjinale apo jo”, një kompani vendore, u përball me versionin serioz të së njëjtës pyetje, atë të gjykatës. Louis Vuitton e paditi pas disa kapjeve të Doganës, ku qindra maica, çanta dhe shorce u vërtetuan si të falsifikuara. Dhe ndryshe nga Peci që doli me një status në Facebook, Euro Star-it iu desh të dalë me aktgjykim publik me shpenzime të veta.
Një kompani vendore, Euro Star SH.P.K., u gjend në një përplasjeje ligjore me gjigantin francez të modës, pasi Dogana e Kosovës ndaloi disa herë mallra të dyshuara si të falsifikuara. Dhe, si duket, ky “defile” nuk i shkoi mirë Euro Star-it, jo vetëm që humbi rastin, por tani duhet edhe ta publikojë aktgjykimin në media, me shpenzimet e veta.
Rasti nisi kur Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2024, ndaloi pesë ngarkesa të ndryshme të deklaruara në emër të Euro Star SH.P.K. Vetëm në këto pesë raste, u kapën: 75 maica (shkurt ‘maica nr.1’), 120 maica (maica nr.2), 205 maica të tjera + 40 çanta skaji, 55 çanta dore për femra, dhe një ngarkesë të madhe prej 360 çantash, 360 maicash dhe 360 shorce.
Louis Vuitton u njoftua nga Dogana për secilin rast dhe verifikoi se të gjitha produktet ishin të falsifikuara. Me pëlqimin e Euro Star-it, shumica e këtyre mallrave u shkatërruan.
Pas kësaj, LV vendosi t’i drejtohet Gjykatës, jo për modë, por për drejtësi. (VENDIMI)
Argumentet: Çka thoshte Louis Vuitton, çka thoshte Euro Star?
Qëndrimi i Louis Vuitton
Produktet bartnin marka identike me ato të regjistruara.
Malli nuk ishte origjinal dhe jo i autorizuar.
Përpjekjet për import nuk ishin rast të izoluar, por të përsëritura.
Euro Star nuk ishte thjesht “transportues”, por deklarues i mallrave.
Kërkonte ndalimin e shkeljes, publikimin e vendimit, kompensim shpenzimesh dhe gjobë.
Qëndrimi i Euro Star SH.P.K.
Ne jemi vetëm transportues.
Mallrat na i sollën klientët, ne veç i bartëm.
Malli s’është shitur kurrë, është ndaluar në kufi – pra s’ka dëmtim.
Gjoba e Doganës është paguar, prandaj rasti “duhet të konsiderohet i mbyllur”.
“Nuk kemi ditur që janë fals.”
Gjykata e dëgjoi të dy palët. Pastaj nisi analiza.
Analiza e Gjykatës: Pse u vërtetua shkelja e markës?
Gjykata u mbështet te ligji për markat tregtare, por edhe te provat: Markat e LV-së janë të regjistruara në Kosovë, me numrat 13193, 13194, 13195 dhe 30543. Po ashtu, mallrat e kapura mbanin shenja identike me këto marka. Dogana konfirmoi në email se mallrat ishin deklaruar në emër të Euro Star-it. Paditësi konfirmoi me dokumente se të gjitha produktet ishin falsifikime.
Gjykata theksoi qartë se edhe nëse mallrat ndalohen në kufi dhe shkatërrohen, shkelja konsiderohet e kryer.
Rasti Louis Vuitton vs Euro Star është një kujtesë se markat nuk janë lodra, as logo që mund t’i vendosh në maica me shpresën se “nuk do të të kapin”.
Ky vendim vendos standarde të reja për tregtinë në vend se importet duhet të jenë të ligjshme, origjinale dhe të dokumentuara. /Demokracia.com/













