Infektologu Sadiku jep lajmin e keq rreth COVID-19: Po hyjmë në një fazë të rrezikshme

Infektologu, Izet Sadiku ka folur për gjendjen aktuale pandemike me COVID-19, si dhe rrezikshmërinë e rritjes së numrit të rasteve në muajt e ardhshëm.

Sadiku tha se në muajin korrik si dhe në pjesën e parë të muajit gusht ka pasur rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19.

Mirëpo, ai theksoi se në pjesën tjetër të muajit gusht ky numër ka filluar të bie, por siç tha ai ekziston rreziku që në muajt e ardhshëm sërish të ketë rritje të numrit të rasteve në vend.

“Ju e dini që kemi pasur rritje të numrit të rasteve gjatë muajit korrik dhe pjesës së parë të gushtit, si dhe kemi një trend të zvogëlimit të rasteve në dy javët e fundit, raste të reja. Mirëpo, e din të gjithë se po hymë në një periudhë në të cilën jo vetëm ne, por të gjitha vendet evropiane kanë filluar të tregojnë rritje të numrit të rasteve dhe kjo bëhet pasi është fillimi i vitit të ri shkollor. Pastaj po hyjmë në fazën ku mund të ketë dhe viroza tjera sezonale që e rrezikojnë dhe më shumë situatën me COVID-19, prandaj po hyjmë në situatë që mund të rrezikoj apo mund të ndikoj në rritjen e numrit të rasteve me të infektuar me COVID-19”, ka thënë ai për Telegrafin.

Sipas tij, ekziston rreziku i rritjes së numrit të rasteve edhe me fillimin e vitit shkollor dhe atë akademik, pasi siç theksoi Sadiku lëvizja e popullatës është më e madhe.

“Në shtator është fillimi i vitit shkollor, ndërsa në tetor fillimi i vitit akademik është rritja e numrit të studentëve, lëvizja më e madhe e popullsisë, e sigurisht ekziston rreziku për rritje të përhapjes apo rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19”, u shpreh ai.