“Protezione Civile Humint” e Italisë ka dhuruar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës një sasi të konsiderueshme materialesh higjieno-sanitare, përkatësisht 30 paleta me dezinfektues për duar, me vlerë rreth 80 mijë euro.
Ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se ky donacion është pjesë e bashkëpunimit afatgjatë mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë dhe vjen në kuadër të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”.
“Është kënaqësi të jem këtu sot për të shënuar një hap tjetër konkret në bashkëpunimin afatgjatë midis Italisë dhe Kosovës në sektorin e shëndetësisë. Donacioni i sotëm (30 paleta dezinfektues duarsh, me një vlerë totale rreth 80.000 euro) është bërë i mundur falë mbrojtjes civile italiane (protezione civile), e cila po mbulon gjithashtu të gjitha shpenzimet e transportit dhe të logjistikës. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj tyre për këtë kontribut bujar. Kjo nismë nuk është një gjest i izoluar. Ajo përshtatet në kuadrin më të gjerë të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”, përmes të cilit Italia po e asiston vazhdimisht Kosovën në forcimin e kapaciteteve të saj mjekësore. Brenda këtij programi kemi kontribuar në përmirësime të rëndësishme në kirurgjinë kardiake, si përmes trajnimeve të specializuara ashtu edhe përmes sigurimit të pajisjeve kyçe, si laboratori i sapo dhuruar i biologjisë. Gjatë pandemisë COVID-19, Italia qëndroi pranë Kosovës duke ofruar materiale mbrojtëse dhe mbështetje urgjente mjekësore, dhe pajisje të tjera janë tashmë të planifikuara për vitin e ardhshëm për të konsoliduar këto arritje. Bashkëpunimi ynë gjithmonë është bazuar në besim, solidaritet dhe vlera të përbashkëta. Jam i bindur se donacioni i sotëm do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës dhe do të forcojë lidhjen e fortë midis dy vendeve tona”, deklaroi ai.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh mirënjohës për mbështetjen italiane, duke kujtuar ndihmën gjatë COVID-19 dhe bashkëpunimin shumëvjeçar në kardiologji, mikrobiologji e kimi.
“Atë që po flisnim më herët me ambasadorin diskutuam që kjo është një ndihmw dhe bashkëpunim shumëvjeçar mes popullit italian dhe të Kosovës. Në kohën e Covidit edhe Italia dhe Ksoova përballeshin në një situatë të rëndë miqtë tanë italian na kanë ndihmuar. Me investimet në kardiologji po ashtu edhe në mikrobiologjinë kimik që Italia ka ndihmuar në këto fusha. Ne kemi mjek nga Italia që çdo vit vijnë përveç që operojnë fëmijët tanë me probleme me zemër, tani kanë mundësinë që të përgatiten nga kolegët italianë. Për herë të parë kemi filluar bashkëpunim me SHSKUK kemi ngritur një fond rreth 1 milion euro për të gjithë profesionistët shëndetësorë që të mësojnë ndërhyrjet të cilat ma herët nuk janë bërë”, ka theksuar Vitia.













