Ja çfarë i bëri opozita të hënën kryeministrit Hoti

Kryeministrit të ri, Avdullah Hoti, nuk po i shkojnë aspak mirë përpjekjet për krijimin e konsensusit për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër tentativës së tij për të krijuar ekip gjithëpërfshirës edhe me përfaqësuesit e opozitës, këta të fundit po vazhdojnë duke e injoruar tërësisht. Periskopi ka mësuar se para dy ditësh, saktësisht ditën e hënë, kryeministri Hoti i kishte ftuar në takim përfaqësuesit e dy partive më të mëdha opozitare, Vetëvendosjes dhe PDK-së, por që të dyja këto e kanë injoruar atë, duke mos i shkuar dhe duke mos komunikuar me të. Krijimi i Qeverisë Hoti, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti me mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës, ishte krijuar si kompromis mes subjekteve politike për ta rinisur dialogun me Serbinë, i cili së fundmi nuk po dihet nëse do të rinisë në Uashington apo Bruksel.

Në ditën e parë të Qeverisë Hoti, kryeministri i ri ishte zotuar se ekzekutivi do t’i kthehej punës dhe jo retorikës së përditshme. Ai erdhi në krye të Qeverisë me zotimin se do ta fuqizojë miqësinë me partnerët ndërkombëtarë dhe me marrjen përsipër të procesit të dialogut, duke krijuar diskurs tjetër dhe ndërtuar konsensus edhe me opozitën.