Jep dorëheqje Daçiç ?

Shefi i diplomacisë serbe dhe lideri i Partisë socialiste serbe (SPS) Ivica Dacic ka paralajmëruar tërheqjen nga pozita e kryetarit të partisë në krye të së cilës është prej vitit 2006, kanë publikuar mediet beogradase të hënën.

“Mua askush nuk mund të shkarkojë, unë mund të shkoj vet, për çka edhe jam duke menduar. Me siguri nuk do të kandidohem më për kryetar të partisë”, ka deklaruar Dacic për gazetën Kurir, transmeton gazetametro.net.

Duke komentuar pohimet e mëhershme të kësaj gazete se si nënkryetari aktual i socialistëve Branko Ruzic dëshiron ta shkarkojë dhe ta marrë pozitën e tij në SPS, Dacic ka paralajmëruar mundësinë që kongresi i partisë, në të cilin zgjidhet udhëheqja e partisë dhe organet e saj, të mbahet më herët se që është paralajmëruar.

“E kam ngritur partinë nga hiri pas 5 tetorit (të vitit 2000, kur ka rënë regjimi i kriminelit Slobodan Milosevic)… Për gjithçka jam unë gjithmonë fajtor, edhe në parti edhe në koalicion, dhe ka ardhur koha që të jepet fund kësaj. Ka ardhur koha të them mjaft!”, ka thënë Dacic, partia e të cilit është partner i koalicionit i Partisë Përparimtare Serbe e ish kryeministrit dhe tani kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

Dacic’i në kohën e Slobodan Milosevic’it ishte kryetar i socialistëve të rinj të Beogradit në vitin 1990 dhe zëdhënësi i Partisë Socialiste Serbe (SPS) prej vitit 1992 deri 2000, ka qenë udhëheqësi i Këshillit të qytetit të SPS dhe gjithashtu edhe nënkryetar i socialistëve prej vitit 2000 deri 2003. Ishte kryeministër i Serbisë prej vitit 2012 deri 2014.