Kërcënimi me jetë ndaj Agim Bahtirit, reagon deputeti i VV’së

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri është kërcënuar sot me jetë nga një person. Pas këtij rasti ka reaguar edhe deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gjyshinca ka thënë se kërcënimi ndaj Bahtirit është i patolerueshëm.

“Kërcënimi me jetë ndaj kryetarit të Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri, është i patolerushëm. E drejta për jetë njerëzore të dinjitetshme dhe të sigurt qëndron mbi çdo të drejtë tjetër”, ka shkruar ai.

Se Bahtiri është kërcënuar me jetë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton opinionin se bazuar në informatat dhe të dhënat e pranuara në adresë elektronike nga ankuesi – kryetari i Mitrovicës së Jugut A.B., Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka autorizuar hetuesit policorë të ndërmarrin veprime hetimore mbi dyshime të “Kanosjes, shantazhit dhe detyrimit” ndaj të njëjtit.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës, njofton opinionin se si rrjedhojë e kërcënimeve ndaj kryetarit të Mitrovicës së Jugut A.B., është vlerësuar e nevojshme prezenca policore në vendbanimin e ankuesit”, ka deklaruar Prokuroria.