Kina hedh poshtë propozimin e OBSH-së për hetimin e origjinës së pandemisë

Kina ka hedhur poshtë propozimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për një fazë të dytë të hetimit mbi origjinën e pandemisë së koronavirusit.

Zeng Yixin, zv / ministri i Komisionit kinez të Shëndetit, u tha gazetarëve në Pekin të enjten se ishte jashtëzakonisht i befasuar kur lexoi që propozimi i ofruar nga agjencia shëndetësore e OKB-së përfshinte kontrolle të laboratorëve në qytetin e Wuhanit, ku virusi u zbulua për herë të parë në fund të vitit 2019.

Zoti Zeng tha se propozimi i OBSH-së për gjetjen e origjinës së koronavirusit është i palogjikshëm dhe tregon mungesë respekti ndaj shkencës dhe e bën “të pamundur” që Pekini ta pranojë.

Një ekip i studiuesve të OBSH-së vizitoi Wuhanin në fillim të këtij viti për të hulumtuar shkakun fillestar të virusit. Ekipi arriti në përfundimin se virusi ka gjasa të ketë kaluar nga kafshët tek njerëzit dhe se gjasat ishin jashtëzakonisht të vogla që ai të kishte dale Instituti i Virologjisë në Wuhan, siç kanë spekuluar disa ekspertë. Por

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus ka kritikuar Kinën se nuk ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit duke mos ndarë të dhënat dhe ka bërë thirrje për një hetim të vazhdueshëm të të gjitha teorive, përfshirë atë se mund të bëhet fjalë për një aksident në laborator.

Zyrtarët dhe mediat kineze kanë filluar të spekulojnë se virusi mund të ketë dalë nga një laborator ushtarak amerikan, një teori që është hedhur poshtë gjerësisht nga komuniteti shkencor./VOA/