Kjo është goditja e madhe që Behgjet Pacolli dhe AKR e marrin pas koalicionit

Arritja e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes PAN dhe AKR’së, me gjasë do ta emërojë kreun e kësaj të fundit, Behgjet Pacollin, zëvendëskryeministër të parë të shtetit dhe shef të diplomacisë. Për këtë, Pacollit do t’i duhet të heqë dorë nga mandati i deputetit në Kuvend.

Këto emërime në Qeveri, partisë së biznesmenit të shndërruar në politikan do t’i kushtojnë me humbje të një ulëse në Kuvend. Kjo pasi, me largimin e Pacollit nga Kuvendi i Kosovës, në radhë për t’u bërë deputet nga grupi parlamentar i koalicionit LAA vjen ministri në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.

Rrahmani i LDK’së në zgjedhjet e 11 qershorit ka marrë gjithsej 7272 vota, shkruan Gazeta Express.

Rrjedhimisht, AKR’ja e cila të hënën njoftoi shkëputjen nga LAA’ja mbetet me vetëm 3 deputet e përfaqësuar në legjislativ.

E vetmja mundësi që AKR’ja të mos humb një deputet është nëse llogaritet kuota gjinore, gjë që mbetet të shihet pas emërimeve tjera në qeveri. Në kësi rasti, vendi i Pacollit do t’i lëshohej Albulena Reshitajt të partisë së tij, e cila ka pas vete 5 mijë e 630 votues.