Kjo parti politike paralajmëron hedhje të gazit lotsjellës e të vezëve ndaj Kurtit

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha se nuk përjashtohet mundësia që opozita e tashme do t’i përdorë metodat që i ka përdorur partia e kryeministrit Albin Kurti – nga gazi lotsjellës e deri tek hedhja e vezëve në Kuvendin e Kosovës.

Shala tha në KTV se nuk pret që Kurti do të ndryshojë qasjen e tij të mëhershme, ndonëse në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se s’do ta sulmojë opozitën edhe nëse e sulmojnë ata atë.

“Siç e njohim ne Albin Kurtin, nuk është qasja e tij. Vetëm nëse ndryshon 100%. Por, ai do të ballafaqohet me deputetë. Ai s’mund t’iu ik debateve. Edhe opozita besoj se s’do të jetë opozitë sikurse ka qenë zoti Kurti. Ai s’ka lënë gjë pa thënë, dhe, edhe nëse ia thotë opozita atij, është e drejtë sepse ai i ka mësuar ata të veprojnë ashtu. Kemi gjuajtur gaz lotsjellës bashkë, por kemi pasur arsye. Por, nëse zoti Kurti bën gabime që i ka bërë Mustafa, normal që do të ketë edhe gaz e edhe vezë”, tha Shala.