Kollçaku: Populli ka vendosur se kush do të jetë kryeministër

LVV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar takimin e pestë në kuadër të grupeve punuese dje, me ç’rast pas takimit është thënë se dy palët kanë arritur pajtueshmëri pothuajse 100 për qind në temat që i përkasin arsimit dhe shëndetësisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Se pozita e kryeministrit mund të vihet në diskutim kanë mohuar kategorikisht përfaqësuesit e LVV-së.

Teksa kanë komentuar deklaratën e Hazirit, i cili tha se emri i të parit të Qeverisë së ardhshme kalon nëpër zyrat e LDK-së, nga LVV-ja kanë thënë se kjo çështje tashmë është e kryer.

“Populli i Kosovës me 6 tetor ka vendosur se kush do të jetë kryeministër i Kosovës dhe ajo është përfundimtare. Çdo përpjekje tjetër shkon në dëm edhe të procesit, edhe në deformim të vullnetit të qytetarëve.

Besoj që sovrani përfundimisht e ka dhënë votën për personin i cili do të jetë kryeministër i ardhshëm dhe ai do të jetë Albin Kurti”, ka deklaruar për “Zërin” nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Kollçaku.