Një mosmarrëveshje për një rrugë fshati ka eskaluar në kanosje serioze me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në fshatin Likoc të Skenderajt.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 20:00 është raportuar në Polici nga A. H. rreth 37-vjeçar, i cili ka deklaruar se ka pasur një përplasje verbale me fqinjin e tij B.V rreth 60-vjeçar, të cilin e kishte paralajmëruar të mos kalonte me bagëti në rrugën që kalon para shtëpisë së tij.
Sipas deklarimeve të viktimës, i dyshuari ka reaguar ashpër duke e kërcënuar dhe duke i shfaqur armën, një pushkë gjahu, me fjalët: “Nuk dëgjoj për ty, i matim forcat kur të duash”.
Pas këtij momenti, viktima është futur në shtëpi dhe ka njoftuar Policinë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë patrulluese dhe hetimore, të cilat në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë bastisjes janë konfiskuar: Një armë gjahu kalibër 12mm, 22 fishekë të kalibrit 12mm.
Pas intervistimit të palëve dhe përshkrimit të rrethanave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të të dyshuarit, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti penal për: • “Kanosje” • “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet janë në vijim.