Kosovës pritet t’i arrijnë edhe 33600 doza të vaksinave kundër COVID-19

Kosova është shteti me më pak doza të vaksinave kundër COVID-19 të siguruara në Evropë. Në fund të muajit të kaluar kanë arritur 24 mijë doza të vaksinave Astra Zeneca, me të cilat ka filluar vaksinimi i stafit shëndetësor dhe personave mbi 85 vjeç.

Por, gjatë javëve në vijim vendit pritet t’i arrijnë edhe 33600 doza të tjera në kuadër të programit Gavi COVAX.

Ndërsa numri i përgjithshëm i dozave të alokuara të vaksinave për Kosovën ka arritur në mbi 201 mijë që pritet të arrijnë ndërkohë.

Në një përgjigje për Front Online nga zëdhënësja e “GAVI COVAX” bëhet e ditur se në gjysmën e dytë të këtij viti, përpos vaksinave Astra Zenaca, Kosovës pritet t’i arrijnë edhe doza nga prodhuesi amerikano-gjerman “Pfizer-Biontech”.

“COVAX po punon drejt raundit të ri të alokimit për vaksinat, duke përfshirë këtu alokimin e vaksinës Pfizer-BioNTech. Kjo do të ndodhë në gjysmën e dytë të këtij viti”, ka potencuar ajo, duke shtuar se njoftimi për një furnizim të tillë do të bëhet gjatë ditëve në vijim.

Përndryshe, Kosova deri më tani ka administruar mbi 3500 doza të vaksinave kundër COVID-19, shifër kjo shumë më e ulët se të gjitha vendet e rajonit. Maqedonia e Veriut ka administruar mbi 12 mijë doza, Shqipëria mbi 200 mijë doza të vaksinave, ndërsa Serbia është lidere ne rajon me mbi 2 milionë doza të vaksinave.