Krasniqi: PDK nuk ka kërkuar heqjen e taksës

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ftuar në emisionin Pressing të televizionit T7 ka deklaruar se PDK’ja nuk ka kërkuar që të hiqet taksa por ka kërkuar anulimin e saj për shkak se rrezikohej partneriteti me aleatët.

“Propozimi ka ardhur nga zv.kryeministri i PDK’së, ndërsa për 100% ka ardhur nga kryetari i PDK’së.” tha ai duke shtuar se “Asnjëherë nuk kemi kërkuar të hiqet taksa, as më herët as në të kaluarën”.

Ai ka shtuar se PDK’ja ka kërkuar që taksa të pezullohet për ta ruajtur partneritetin me aleatët.

“Pezullimi si kërkesë ka qenë për shkak të presionit nga miqtë ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës” tha Krasniqi.

Ai shtoi se për të më me rëndësi është partneriteti me SHBA’në sesa taksa.

“A është më me rëndësi ta rrezikojmë partneritetin jetik me Amerikën apo ta pezullojmë taksën?” shtoi ai.

Memli Krasniqi dhe Uran Ismaili janë të ftuar në emisionin Pressing, të cilët morën pyetje nga analistët dhe publiku.